Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë për raportimin e 800 kilometrave rrugë të ndërtuara gjatë mandatit, duke kërkuar publikimin e një liste të detajuar që dëshmon këto investime, raporton Ekonomia Online.
Përmes një reagimi në Facebook, Bajrami ka kërkuar që Qeveria të tregojë se cilat rrugë janë ndërtuar, sa kilometra ka secila, kur kanë përfunduar dhe kush i ka financuar.
“Këtu e sfidoj Qeverinë. Publikojeni listën, rrugë për rrugë, me kilometrat, datën e përfundimit dhe kush e ka financuar secilën”, shkroi Bajrami.
Ajo ka ngritur dyshime se në shifrën prej 800 kilometrash mund të jenë përfshirë edhe projekte të bashkëfinancuara apo investime të realizuara nga komunat.
“Të shohim sa kilometra i ka ndërtuar Qeveria, sa janë bashkëfinancuar dhe sa i kanë shtruar vetë komunat”, shtoi.
Bajrami ka kritikuar edhe mënyrën se si Qeveria i ka paraqitur disa projekte infrastrukturore në raportin e saj, duke përmendur 150 milionë euro të raportuara si kursime për rrugën Kijevë–Zahaq.
“Po rruga ku është? Normal se ke kursy për rrugën që nuk e ke kry. Kur të kryhet dil trego sa ka kushtu”, ka thënë ajo.
Deputetja e LDK-së ka përmendur edhe 200 milionë euro të parapara për hekurudhën Hani i Elezit–Leshak, si dhe 51.5 milionë euro për 19 kontrata të mirëmbajtjes së rrugëve.
Ajo ka vënë në pikëpyetje paraqitjen e investimeve të planifikuara si suksese të realizuara dhe ka kritikuar gjendjen e mirëmbajtjes së rrugëve në vend.
“800 km. Publikojeni listën!”, ka përfunduar Bajrami, duke kërkuar transparencë dhe dëshmi konkrete për investimet e pretenduara nga Qeveria.