Haxhiu: S’pres ndryshime pozitive në arsim nga ministri Çeku

Prishtinë | 29 Nën 2026 | 08:00 | Nga Floresa Shala

Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu në një bisedë për Ekonomia Online, ka deklaruar se nuk pret ndryshime pozitive në sistemin arsimor nga ministri aktual i Arsimit, Hajrullah Çeku as në nivelin parauniversitar dhe as në atë të arsimit të lartë.

“Po flasim për ministrin aktual, sepse ish-ministrja veç ka treguar të gjithë përvojën e saj të dëmshme në arsim në përgjithësi, por tani me një qasje krejt tjetër është ky ministër, por nuk pres absolutisht ndonjë ndryshim për të mirë, duke filluar prej arsimit parauniversitar deri në arsimin e lartë”, tha Haxhiu.

Tutje ajo ka vlerësuar se Ligji për Arsimin e Lartë ka nevojë urgjente për ndryshime në mënyrë që të sigurohet funksionim më i mirë i institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

“Së pari, ligji për arsimin e lartë vërtet është shumë i nevojshëm për t’u ndryshuar ky ligj. Dje veç e kishim  një takim si komision për arsim, bashkë me të gjithë bartësit e arsimit të lartë privat. Më parë kemi pasur edhe institucionet publike të arsimit të lartë në një takim. Pra, ky është një ligj që është jetik për funksionimin e drejtë të këtyre institucioneve, vërtet është e nevojshme të ndryshohet ky ligj”, potencoi Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se Komisioni për Arsim ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve private dhe publike të arsimit të lartë, me qëllim të identifikimit të problemeve që kërkojnë ndërhyrje ligjore.

Haxhiu ka thënë se anëtarët e komisionit janë pajtuar për nevojën e ndryshimit të këtij ligji, por ka shprehur shqetësimin se miratimi i tij mund të varet edhe nga votat e komunitetit serb.

 “Fatkeqësisht është një prej ligjeve që kërkon edhe votat e komunitetit serb, që është vërtet diçka e paparë. Nuk do të duhej të ndodhte që votat e serbëve të vendosnin për ligjet e arsimit në nivel vendi. Ne kemi filluar një nismë të mbarë për të ndryshuar këtë ligj. Sa ia dalim, vullneti i komisionit është tashmë, sepse mendoj që të gjithë anëtarët e komisionit janë dakord. Mirëpo, sa ia dalim në seancë, prapë i mbetet partisë në pushtet të bëjë maksimumin dhe të bisedojë, siç kanë ditur shpeshherë të bisedojnë edhe me Listën Serbe kur kanë pasur interesa të veta”, ka potencuar ajo.

Deputetja e Aleancës ka ngritur shqetësimin edhe për ngarkesën administrative të mësimdhënësve në procesin e shpërndarjes, ruajtjes dhe kthimit të teksteve shkollore, duke vlerësuar se kjo përgjegjësi nuk duhet t’u takojë atyre.

Sipas saj, mësimdhënësit nuk mund të garantojnë se të gjithë nxënësit do t’i ruajnë dhe kthejnë librat në gjendjen e duhur, ndërsa në rast të dëmtimit apo moskthimit të tyre, përgjegjësia mbetet te mësimdhënësi.

“Sa është barrë e rëndë për një kujdestar klase që të ruhen tekstet mësimore për nxënësit e moshave të ndryshme. Mundet edhe të mos i ruajnë, pra i mbetet barrë dhe përgjegjësi mësimdhënësit. Kjo është një mënyrë shumë e dëmshme e furnizimit me tekste mësimore në nivel vendi. Prapë po ngarkohen me disa gjëra që vërtet do të duhej t’i linin krejt anash, ngase është pjesë administrative, pjesë që nuk i takon mësimdhënësit. Fëmijët nuk mund të jenë të sigurt 100 për qind që i ruajnë tekstet mësimore, e aq më tepër kur i dimë nxënësit sot që mund të mos i ruajnë. Atëherë kush është përgjegjës? Përgjegjës mbetet mësimdhënësi. Pse të ngarkohet mësimdhënësi me këtë telashe?”, ka potencuar ajo për EO.

Të ngjashme