Basha: Punuam pa ndërprerje duke pastruar borën, ngasësit t’i shmangin udhëtimet e panevojshme

Prishtinë | 29 Nën 2026 | 11:16 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha tha se ekipet e këtij dikasteri punuan gjatë gjithë natës për t’i bërë të kalueshme rrugët pas reshjeve të borës.

Ai tha se kanë hedhur kripë e kanë parandaluar ngricat, duke publikuar pamje të punës gjatë natës.

“Mirëmëngjesi! Gjatë natës patëm reshje të dendura bore. Ekipet tona punuan pa ndërprerje në autoudhë dhe në rrugët nacionale e rajonale për t’i mbajtur ato të kalueshme. Siç shihet në pamjet e xhiruara gjatë natës, ekipet kanë pastruar borën dhe kanë hedhur kripë për të parandaluar ngricat. Puna vazhdon edhe këtë mëngjes, me ekipet e pastrimit në terren. I falënderoj të gjithë ata që punuan gjatë natës për t’ua mundësuar qytetarëve qarkullimin”, shkroi ai.

Basha i luti ngasësit që “t’i shmangin udhëtimet e panevojshme”.

“Reshjet e borës po vazhdojnë edhe këtë mëngjes. I lusim ngasësit t’i shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes”, shkroi ai.

Të ngjashme