Ish-zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli është zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking”.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga vetë “Prishtina Parking” ku Hallovi renditet i pari në mesin e pesë kandidatëve me më së shumti pikë 38.75.
Ardhja e Havollit në këtë pozitë vjen pas shkarkimit të Liridon Restelicës rreth 2 muaj më parë nga kjo ndërmarrje.
Lajmin për shkarkimin e tij e kishte bërë të ditur Përparim Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës, i cili pati thënë se një ndër arsyet për shkarkimin e tij është edhe keqpërdorimi i pozitës.
“Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL ‘Prishtina Parking’ ka konstatuar se veprimet e kryeshefit ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL ‘Prishtina Parking’”, pati thënë Rama. /Telegrafi/