Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani, priti sot në takim delegacionin nga EUROJUST, të kryesuar nga Zëvendës-Presidentja Margarita Šniutytė- Daugėlienė, me të cilën u diskutua rreth thellimit të bashkëpunimit, me theks të atij ndërkufitar në regjionin e Ballkanit perëndimor për rastet e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar.
Zëvendës-Presidentja Šniutytė- Daugėlienė theksoi se objektiv i përgjithshëm i projektit “WB Crim Just” që synon të përfshijë autoritetet gjyqësore dhe ato të sundimit të ligjit në Ballkanin perëndimor, është forcimi i bashkëpunimit strategjik dhe operacional në mes të këtyre vendeve dhe të BE-së në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit, përmes përdorimit të metodave dhe mjeteve të avancuara.
Zëvendësministri Gashani theksoi se synimet e këtij projekti, përkojnë edhe me synimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saja për luftimin e të gjitha llojeve të krimit në vend dhe po ashtu krimit ndërkufitar, duke shprehur gatishmërinë për angazhimin e të gjitha kapaciteteve të nevojshme për rritjen e bashkëpunimit në regjion.
U theksua rëndësia e angazhimit të përbashkët të institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë dhe rajon për adresimin e suksesshëm të sfidave në luftimin e krimit ndërkufitar me përkrahjen nga EUROJUST.