A do ta importojë Vuçiqi një kryeministër nga Amerika?

Prishtinë | 23 Mar 2025 | 22:53 | Nga Enver Robelli

Deri më 18 prill duhet të caktohet mandatari i ri për krijimin e qeverisë së re serbe. Nëse pushteti nuk arrin ta gjejë një mandatar, atëherë vendi shkon në zgjedhje të reja. Këto zgjedhje opozita do t’i bojkotonte dhe protestat e prira nga studentët do të zgjeroheshin edhe më shumë. Sipas gazetës “Danas” autokrati serb Aleksandar Vuçiq është duke shqyrtuar mundësinë që ta importojë një kandidat për kryeministër nga radhët e diasporës serbe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas “Danas” bëhet fjalë për Branko Millanoviq, Desko Nikitoviq dhe Ivan Trifunoviq nga Iniciativa Pupin. Kjo organizatë merret me thellimin e raporteve mes SHBA-së dhe Serbisë. Burimet e gazetës “Danas” thonë se Nikitoviq, një amerikan i rritur në Çikago, kryetar ekzekutiv i East Point Metals Ltd., aktualisht ka shanset më të mëdha dhe mbështetet më tepër nga funksionarët e partisë së Vuçiqit.

Ai ka lindur në vitin 1960 në Arilje në jugperëndim të Serbisë. Ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë në Beograd në vitin 1989. Aktivisht ka përkrahur demokratizimin e Serbisë përmes pjesëmarrjes në lëvizjen opozitare nga viti 1987 deri në vitin 1990. Në vitin 1990, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I dyti në listë, shkruan “Danas”, është Branko Millanoviq, një nga ekonomistët kryesorë në botë. Kohët e fundit, ai ka marrë kritika në platformën X për shkak të kritikave ndaj protestave dhe për deklaratat e tij se asnjë qeveri nuk është aq e keqe sa të shkaktohet një “luftë civile”.

Për publikun në Serbi i njohur është sidomos Ivan Trifunoviq, i cili u prezantua në forumin e biznesit në Kopaonik si një lider i dëshmuar në industrinë e shëndetësisë dhe farmaceutikës.
Opozita serbe dhe një pjesë e protestuesve kërkojnë një qeveri kalimtare me ekspertë, e cila do të përgatiste zgjedhjet brenda një afati 9 deri 12-mujor. Vuçiq është përbetuar se nuk do të lejojë një opsion të tillë.

Të ngjashme