Dhomat e Specializuara të Hagës nuk kanë dhënë informacione nëse do ta lejojnë ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, ta vizitojë familjen e tij, pas varrimit të babait të tij.
Zëdhënësja e gjykatës Angela Griep, tha se fillimisht kërkesat janë gjithmonë konfidenciale, që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale.
“Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjyqtarët zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më në detaje. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjyqtarët, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë pak kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë”, theksoi ajo për Klankosova.
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, u varros të marten në fshatin e lindjes, Burojë e Skenderajt.
Ai vdiq të dielen në moshën 87 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë.
Haxhi Thaçi, një kohë ishte i shtrirë në spital për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Ish-presidenti arriti ta takonte babain disa ditë para se ky i fundit të i mbyllte sytë.
Ai e vizitoi prindin e tij më 13 mars në spital, pasi Haga ia kishte miratuar vizitën në Kosovë.