Emri i Murat Jasharit po përfolët si kandidat i mundshëm për pozitën e presidentit në një kohë kur partitë politike në vend po shihet që s’kanë kurrfarë uniteti për pozitën e të parit të shtetit.
Por a do të përkrahet Murat Jashari për president nga partia që drejton Albin Kurti.
Në një përgjigje për Express lidhur me këtë çështje ka folur deputeti i VV’së, Arbër Rexhaj, i cili s’ka mohuar se do ta diskutojnë një emër të familjes Jashari, veçse sipas tij kryesia e partisë duhet mblidhet për të përcaktuar disa kritere për çështjen e presidentit.
“Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje duhet ta mbajë një mbledhje të kryesisë dhe t’i përcaktojë kriteret se çfarë ne mendojmë për çështjen e presidentit. E dyta, çështja e presidentit ne mendojmë se duhet ta përfaqësojë vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës, mbi këtë bazë ne do ta diskutonim edhe emrin e respektuar të një anëtari të familjes Jashari. Këto parti politike, LDK, PDK dhe AAK janë të bllokuara tek emrat e kryetarëve të tyre. Prandaj nuk shoh tek partitë tjera që do të avanconin qoftë ndonjë emër të respektuar të familjes Jashari apo ndonjë emër tjetër”, ka thënë Rexhaj.
Në fund ai ka përsëritur qëndrimin e VV’së se presidenti i ri duhet të zgjidhet pas zgjedhjeve të reja.
“Presidenti duhet të zgjidhet pas zgjedhjeve. Vetëvendosje nuk ka propozuar ndonjë emër pasi ne jemi parti opozitare”, ka përfunduar Rexhaj./FrontOnline/