A do të kalojnë shkollat në mësim online? Kjo është kërkesa e ministres Nagavci

Prishtinë | 21 Jan 2022 | 15:40 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA) që të përcjellin me kujdes situatën me pandeminë në komunat e tyre, respektivisht në shkolla, dhe të marrin vendime bazuar në gjendjen epidemiologjike në baza ditore.

Nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social “Facebook” , thuhet se në takimin virtual të zhvilluar sot me drejtorët e DKA-ve, ministrja Nagavci ritheksoi edhe një herë që duhet të bëjmë përpjekje maksimale që shkollat t’i mbajmë të hapura, ndërsa shtoi se, vaksinimi krijon parakushtet për zhvillim të suksesshëm të procesit mësimor, përcjell Demokracia.com.

“Ministrja Nagavci po ashtu bëri të ditur se, task forca në nivel të Ministrisë në takimin e djeshëm ka diskutuar nivelin e rrezikshmërisë për zhvillimin e procesit mësimor me prezencë fizike dhe çështje të tjera me fokus në situatën e krijuar pas shtimit të numrit të të infektuarve në mësin e nxënësve, mësimdhënësve dhe stafit tjetër në shkolla. Ajo theksoi se në këtë takim është kërkuar nga drejtorët komunal të arsimit që vendimet për kalimin e zhvillimit të procesit mësimor nga një skenar në tjetrin të bëhet duke u bazuar në situatën epidemiologjike në shkolla. Ndërsa, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci prezantoi rekomandimet e task forcës në nivel të Ministrisë, të cilat kanë dalë nga mbledhja e cila është mbajtur dje. Sipas Pupovcit propozimi i Ministrisë është që procesi edukativo-arsimor në institucionet parashkollore dhe në qendrat e qëndrimit ditor të zhvillohet sipas rekomandimeve të IKShPK-së të dt. 20.01.2022”, thuhet në njoftim.

Procesi  edukativo-arsimor në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në të gjitha nivelet, si dhe në qendrat e qëndrimit ditor do të zhvillohet konform Udhëzuesit për organizimin e procesit mësimor në kushte të pandemisë Covid-19. Task forcat e institucioneve edukativo-arsimore në nivel të shkollës dhe komunës vendosin për aplikimin e skenarëve varësisht nga gjendja në institucionin arsimor.

Pupovci ka ftuar DKA-të që të bashkëpunojnë me Inspektoratin e Ministrisë, duke i dërguar të dhënat në baza ditore, meqë synimi i MAShTI është që shkollat të mbeten të hapura aty ku shëndeti nuk rrezikohet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme