Prej më shumë se një muaj e gjysmë bota po përballet me një lloj virusi shumë të rrezikshëm.
Koronavirusi, i cili u shfaq për herë të parë në Dhjetor të vitit 2019 në Wuhan të Kinës, tashmë është shpërndarë edhe në 37 vende të botës.
Raste të virusit janë shpërndarë edhe në shumë kontinente duke nisur nga Amerika e deri në Evropë. Ka rreth 80.252 raste deri tani, teksa shifrat e të infektuarve janë duke u rritur.
Përveç Kinës dhe Koresë Jugore, një nga vendet e tjera me më shumë të prekur është edhe Italia. Cilësohet si e treta në botë për nga numri i pacientëve dhe viktimave të virusit dhe është vendi i parë në Evropë, ku ka një situatë emergjente.
Paralajmërimet e para për përhapjen e këtij virusi kanë nisur qysh nga janari, teksa zyrtarët bëjnë thirrje për shtimin e masave parandaluese. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron, që njerëzit duhet të jenë sa më të kujdesshëm dhe mos të neglizhojmë asnjë simptomë të saj.
“Megjithëse mundësitë janë të vogla, ne kemi ende një mundësi të mirë për ta izoluar virusin” u shpreh Tedros Adhanom, drejtor i përgjithshëm i OBSH-së.
“Edhe pse ende kjo situatë nuk është shpallur pandemi globale, është e rëndësishme që të gjithë vendet të përgatiten për një skenar të mundshëm të këtij lloji”, shtoi ai.
Çfarë është një pandemi botërore?
Një pandemi zhvillohet kur një sëmundje përhapet në përmasa botërore, më shumë se sa shifrat normale. Shpërndarja mbarë botërore e një sëmundjeje të re, do të thotë pandemi botërore. Kështu në rast pandemie, shumica e njerëzve në botë janë të ekspozuar ndaj një rreziku të caktuar.
Arsyeja se përse po diskutohet mundësia e shpalljes së një pandemie për këtë virus, është se mjekët nuk arrijnë shpesh të kuptojnë se si virusi është shpërndarë në skaje edhe më të largëta të botës.
Duke marrë parasysh faktin se ende nuk është krijuar një vaksinë adekuate për kurimin e këtij virusi, është e rëndësishme që të shihen dhe të aplikohen të gjitha masat parandaluese nga vet qytetarët, duke ruajtur higjienën, shprehen ekspertët.