Pas letrës së të martës, Lionel Messi bëri një tjetër veprim që konfirmon hapur vullnetin e tij për të lënë Barcelonën pas gati 20 vitesh aty, teksa sot nuk u paraqit për të kryer testet mjekësore në prag të përgatitjeve për sezonin e ardhshëm që do të nisin nesër.
Në këtë mënyrë ylli argjentinas nuk mund të vihet në dispozicion të trajnerit Ronald Koeman nesër, pasi protokolli e përcakton qartë që asnjë futbollist nuk mund t’i bashkohet grupit ,pa kryer më parë testin anti-Covid.
Mbrëmjen e djeshme mediat spanjolle raportuan se klauzola 700-milionëshe për prishjen e kontratës së Messit me Barcelonën nuk është e vlefshme për vitin e fundit të kontratës, ndaj edhe argjentinasi ndihet i qetë për divorcin.
Megjithatë gjatë paradites së sotme ka folur edhe La Liga, si autoriteti fjala e të cilit mund të ketë goxha peshë në këtë situatë, pasi është edhe institucioni ku është depozituar kontrata që mban të lidhura palët aktualisht.
Në reagimin zyrtar, La Liga bën me dije se në kontratë është e përcaktuar saktë mënyra e prishjes së mundshme të saj dhe se ky institucion nuk do të nisë asnjë procedurë për lirimin e futbollistit, nëse nuk paguhet më parë klauzola.
“Në lidhje me publikimin e interpretimeve të ndryshme të kontratës së Messit me Barcelonën, një pjesë e mirë e të cilave janë edhe kontradiktore me njëra-tjetrën, La Liga e konsideron të përshtatshme, që pas analizimit me detaje, të sqarojë situatën kontraktuale mes palëve.
Kontrata aktualisht në fuqi ka një klauzolë përfundimi të zbatueshme nëse Messi zgjedh ndërprerjen e hershme dhe të njëanshme të saj, kryer në përputhje me nenin 16 të Dekretit Mbretëror 1006/1985, të 26 qershorit, i cili rregullon marrëdhënien e veçantë të punës së atletëve profesionistë./supersport.al