A e hoqi Rakiqi flamurin e Kosovës? Flet Zyra e Kryeministrit Hoti

Prishtinë | 10 Qer 2020 | 14:09 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Kryeministrit Avdullah Hoti mohon se zëvendëskryeministri Goran Rakiq i ka hequr simbolet e Kosovës nga zyra e tij, edhe pse ato nuk u panë në fotografitë nga takimet e Rakiqit.  

Mediat në Serbi raportuan se kryetari i Listës Srpska, i cili është zv.kryeministër dhe ministër në Qeverinë e Kosovës, i ka hequr flamurin dhe simbolet e tjera të shtetit nga zyra e tij.

Zyra e Kryeministrit në një përgigje për Gazetën Express ka thënë se flamuri i Kosovës nuk është larguar nga hapësirat e Qeverisë, ku punon Rakiqi.

 “Zëvendëskryeministri Goran Rakiq nuk e ka hequr asnjë simbol të Kosovës, as flamurin, nga Zyra e tij. Çështja e përdorimit të simboleve është e përcaktuar nga Protokolli i shtetit, prandaj secili zyrtar është i obliguar t’i përmbahet këtij protokolli. Sa i përket rastit të përfolur në media, ju sigurojmë se simbolet janë aty ku kanë qenë dhe nuk ka pasur asnjë heqje të tyre”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së.

Ndërkaq, B92 ka publikuar fotografi të takimeve të Rakiqit me përfaqësues të misioneve të huaja, përfshirë ambasadorin amerikan Philip Kosnett, e në asnjërën nuk shihet asnjë simbol.

“Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe Ministri i Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale, Goran Rakiq, hoqi nga kabineti i tij të ashtuquajturin flamur i Kosovës. Flamuri u përdor në takimet zyrtare nga paraardhësja i tij Emilja Rexhepi”, shkroi mediumi serb.

Për këtë çështje ka folur edhe Presidenti Hashim Thaçi sot. Ai tha se nuk kanë vend në institucione njerëzit që nuk respektojnë simbolet e Kosovës. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme