A është 2023 viti kur përfundon varësia e BE-së nga energjia ruse?

Prishtinë | 02 Jan 2023 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Shqetësimet e Bashkimit Evropian për reduktime të rrymës – si pasojë e zvogëlimit të eksporteve ruse pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë – janë ulur falë fatit të mirë, motit jo të ftohtë dhe veprimeve të shpejta.

Moti i mirë i tetorit dhe nëntorit, i ka mundësuar Bashkimit Evropian që të kursejë më shumë energji për muajt e dimrit.

Ndërkohë rënia e kërkesës për energji në Kinë, si pasojë e kufizimeve të vëna për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka mundësuar që sasi të mëdha të gazit të lëngshëm natyror, të destinuara për në Azi, të marrin drejtim drejt bllokut evropian.

Rol kanë luajtur edhe thirrjet e zyrtarëve evropianë për të zvogëluar konsumin, për të përmirësuar efiçencën dhe për të zgjeruar alternativat e furnizimit me energji.

Mirëpo fatit nuk i dihet. Analistët besojnë se një rikthim i motit të ftohtë, në kombinim me mungesë të eksporteve të gazit nga Rusia, mund ta lë Evropën pa furnizime të mjaftueshme dhe ta përballë atë me çmime tejet të larta.

“Nëse importet përmes gazsjellësve nga Rusia për në Bashkimin Evropian bien në zero më 2023, dhe nëse Kina sërish do të ketë nevojë për gaz të lëngshëm natyror, sikurse në kohën para pandemisë, atëherë Bashkimi Evropian do të përballet me krizë serioze të furnizimit”, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë një një raport të publikuar më 12 dhjetor.

“Thënë shkurt, nuk ekzistojnë shumë parashikime të mira për Evropën”, ka thënë Agathe Demarais, udhëheqëse në Economist Intelligence në një kolumnë të publikuar në Politico në muajin nëntor, duke shtuar se situata mund të përkeqësohet dimrin e ardhshëm.

“Megjithatë në periudhë afatgjatë, Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë të energjisë”, ka shkruar ajo.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka vlerësuar se deficiti i gazit në BE më 2023 mund të shkojë në 57 miliardë metra kub, apo rreth 15 për qind e kërkesës së parashikuar, ani pse është thënë se masat që janë duke u zbatuar aktualisht – sikurse projektet e reja solare dhe ato të erës – mund të ulin mungesën në 27 miliardë metra kub.

Bashkimi Evropian mund ta mbulojë këtë mungesë nëse investon edhe 100 miliardë euro shtesë në zgjerim të projekteve në fushën e energjisë dhe avokon në energji efiçente, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Në BE, gazi natyror përdoret kryesisht për të ngrohur shtëpitë dhe ndërtesat, për të aktivizuar fabrikat si dhe për procese tjera industriale siç është prodhimi i plehrave.

Mungesa e energjisë do të mund të ndikojë në rritje të madhe të çmimit të energjisë në BE, duke nxitur kështu vështirësi në shumë procese të përditshmërisë.

Disa shtete veçse kanë krijuar plane në rast se do të ketë krizë të energjisë.

Shumë gjëra varen në atë që bën ose jo Kremlini.

Nga 60 në 0

Rusia ka qenë furnizuesja më e madhe e Bashkimit Evropian me gaz natyror, duke mbuluar rreth 40 për qind të nevojave të bllokut më 2021.

Këtë fuqi e ka përdorur Kremlini, pas nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt.

Përmes uljes së furnizimeve, Rusia ka tentuar të përçajë unitetin e Perëndimit në mbështetjen që i ka ofruar Ukrainës, pas nisjes së luftës.

Eksportet e gazit natyror rus në BE besohet se do të zvogëlohen për gati 60 miliardë metra kub më 2023 në krahasim me 140 miliardë metra kub vitin e kaluar dhe gati 200 miliardë metra kub në nivelet para pandemisë së koronavirusit.

Pavarësisht se marrëdhëniet në mes të Moskës dhe Perëndimit janë më të këqijat në dekada, Rusia ende furnizon BE-në me gaz përmes gazsjellësve që kalojnë nëpër Ukrainë dhe Turqi.

Megjithatë, sipas ekspertëve, eksportet mund të zvogëlohen edhe më shumë sesa tani, apo edhe të ndalen tërësisht më 2023, duke detyruar Evropën që të gjurmojë për gaz, në një botë me opsione të limituara.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Rusia është duke furnizuar BE-në me rreth 25 miliardë metra kub gaz dhe dy të tretat e kësaj sasie kalojnë përmes Ukrainës, ku janë duke u zhvilluar luftime të ashpra.

“Besoj se ekziston rreziku që në gazsjellësin ukrainas të ndodhë dëm aksidental apo i qëllimshëm”, ka thënë Nadia Kazakova, analiste në organizatën Renaissance Energy Advisors me seli në Londër.

Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se eksportet ruse përmes Turqisë do të vazhdojnë, derisa Kremlini të vërtetojë se një ndalje e plotë e gazit në BE i përshtatet në aspektin ekonomik dhe atë ushtarak.

Chris Weafer, ekspert i energjisë në organizatën Macro Advisory me bazë në Moskë, ka thënë se nuk pret që Moska të ndalë më shumë furnizimet në Evropë, sepse ka nevojë për para dhe nuk mund të shesë menjëherë gaz diku tjetër për shkak të infrastrukturës.

Rusia ka përfituar nga rritja e çmimeve të energjisë më 2022, ndonëse pjesa më e madhe ka shkuar në financim të luftës në Ukrainë, të cilës nuk po i shihet fundi.

Për më shumë, parashikimet për të hyrat nga eksportet e gazit rus më 2023 nuk duken aq mirë.

Naftës, njërës prej burimeve që Rusia eksporton më shumë, i ka rënë vlera nga 130 dollarë në mars në vetëm 80 dollarë muajve të fundit.

Por Moska është e detyruar të zbresë çmimin e naftës për shkak të sanksioneve që i ka vënë Perëndimi.

Ndryshim në matematika

Eksportet e naftës dhe produkteve të rafinuara ia kanë siguruar Rusisë rreth 34 për qind të buxhetit federal më 2022 dhe vetëm gazi e ka mbuluar 10 për qind të kësaj shifre, sipas Elina Ribakovas, ekonomiste në Insitutin International Finance me bazë në Uashington.

Rusia “do të ketë nevojë që të paktën të sigurojë nivelet e eksportit të këtij viti për të mbajtur deficitin buxhetor sa më të vogël”, ka thënë Weafer për Radion Evropa e Lirë.

Mirëpo të dy anët nuk janë në situatë të mirë, të paktën tani për tani.

Evropa dhe Rusia “kanë arritur të zvogëlojnë gazin ndaj njëra-tjetrës këtë vit, mirëpo nivelet janë në shkallë kritike”, ka thënë Weafer.

“Asnjëra nuk mund të përballojë që nivelet e furnizimit me gaz rus në Evropë të zvogëlohen edhe më shumë më 2023 dhe 2024”.

Në fakt, BE-ja ka importuar më shumë gaz të lëngshëm natyror të Rusisë më 2022 sesa në vitin paraprak, teksa ka tentuar të gjejë alternativa për gazin rus që e siguron përmes gazsjellësve.

“Gazi i lëngshëm natyror i Rusisë është politikisht më i pranueshëm në Evropë, ia mundëson Brukselit të thotë se ka më shumë opsione dhe nuk është e bllokuar me rrezikun rus. Por, realiteti nuk është aq i pastër”, ka thënë Weafer.

BE-ja e ka mbuluar pjesën më të madhe të gazit rus duke importuar më shumë gaz të lëngshëm natyror nga Shtetet e Bashkuara dhe Lindja e Mesme, si dhe duke rikthyer përdorimin e thëngjillit.

Të ngjashme