Nuk është e qartë se sa i ka zgjatur rikuperimi nga operacioni Presidentes Osmani, por Kryeparlamentari Konjufca thotë se nuk ka pasur ndonjë rast kur atij i janë bartur kompetencat e Presidentit të vendit.
Mediat turke raportuan se Presidentja Vjosa Osmani i është nënshtruar një operacioni në Turqi. Kjo nxiti reagime mes kosovarëve, të cilët, deri me raportimin e mediave turke, nuk e kishin ditur që Presidentja ka qëndruar jashtë shtetit për arsye shëndetësore.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca është pyetur sot nga Televizioni 7 se i janë bartur kompetencat e Presidentes në ndonjë rast, prej kur është vënë në krye të Kuvendit. Konjufca tha se “nuk ka ardhur rasti deri në atë nivel”.
“Jo, këto janë të rregulluara me ligj. Nuk ka pasur ndonjë rast të tillë. E vetmja që është paraparë me protokoll është që njëra prej figurave politike të nivelit të lartë të qëndrojë në Kosovë dhe t’i performojë detyrat e veta. Përndryshe, nuk ka ardhur rasti deri në atë nivel”, ka deklaruar Konjufca.
Neni 90 i Kushtetutës së Kosovës flet për mungesën e përkohshme të Presidentes/it.
Sipas këtij neni, në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Urdhri i Presidentit për kalimin e përgjegjësive duhet të përmbajë veçanërisht arsyet dhe kohëzgjatjen e kalimit të përgjegjësive, nëse ka njohuri për to.
Është e paqartë se sa ka qëndruar Presidentja nën rikuperim, por Kushtetuta thotë se Presidentja “do të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive kur të jetë në gjendje t’i ushtrojë përgjegjësitë, dhe kështu Kryetarit të Kuvendit i pushon posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit”.
Një prej gazetave më të mëdha turke “Hurryiet”, ka shkruar se Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i është nënshtruar një operacioni në Antali për heqjen e kilogramëve të tepërt.
Sipas Hurryiet, Osmani ka qëndruar për një kohë në një hotel me 5 yje në Antalia, e cila pas operacionit gastroektomik, është kthyer në Kosovë.
Gazeta ka shkruar se nga fotografitë që janë shpërndarë së fundmi në rrjete sociale, është vërejtur humbja e madhe e peshës së saj. Sipas këtij artikulli, operacioni u krye nga anëtari i Fakultetit të Universitetit Akdeniz, Ajhan Mesci.
Presidentja nuk ka folur ndonjëherë për këtë ndërhyrje të saj. Më parë është komentuar ndryshimi në dukjen e saj, por se kjo është bërë me një ndërhyrje u raportua vetëm fundjavën e kaluar nga mediat turke.