A ishte energjia në Kosovë mollë sherri mes amerikanëve dhe evropianëve?

Prishtinë | 09 Nën 2025 | 08:25 | Nga Agron Hoti

            Fakti që Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i energjisë, përfshirë atë serbe e ruse, flet më së miri se sa shumë e cenueshme është siguria nacionale në Kosovë. Pa e zgjidhur Kosova furnizimin me energji, do të vazhdojë të jetë e cenueshme nga Serbia dhe Rusia. Vuçiçi në Serbi, Lista Serbe në Kosovë, kodi ruso-serbo-evropian i “shkatërrimit 20 vjeçar” bashkë me Gjykatën Speciale në Holandë na erdhën si ‘dhuratë’ e evropianëve të detyruar nga rusët, sepse nga viti 2001 e derisa shpërtheu lufta në Ukrainë në shkurt 2022, evropianët po rrëshqisnin çdo vit e më shumë nën kontrollin politik dhe ekonomik të Moskës.

           Fakti që SHBA nga 2001 deri në 2022 ishte gjithnjë e më e shqetësuar nga rritja e varësisë së Evropës nga energjia ruse, mund të ngrisë edhe dilemën se a kishte qenë çështja e energjisë në Kosovë mollë sherri dhe betejë politike mes amerikanëve dhe evropianëve të kapur nga rusët.

          Në këtë kuadër amerikanët në vitin 2017 përmes kompanisë amerikane Counter Global kishin planifikuar që në vitin 2020 të fillonte ndërtimi i Termocentralit të ri në Kosovë, i cili parashihej të përfundonte në vitin 2023. Qeveria e Kosovës i pati thënë “jo” këtij projekti amerikan, më pas ishte paditur nga Counter Global dhe ishte dënuar në arbitrazh me 20 milionë EUR. Kosova përfundimisht nuk e zgjidhi çështjen e energjisë. Kjo ishte gjendja me rrymë elektrike. Sa i përket gazifikimit gjendja është si më poshtë.

         Më 25 dhe 26 qershor 2019 në Berlin, BE në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës zyrtarisht pati vendosur për gazifikimin e Kosovës. Mu për këtë BE menjëherë pati ndarë 1.5 milionë EUR për ta hartuar “Planin për Gazifikimin e Kosovës dhe mbështetjen për shqyrtimin e kornizës rregullatore”.

           Më 30 shtator 2021 Qeveria e Albin Kurtit zyrtarisht i pati thënë “jo” gazit amerikan, ndërkohë që nuk i tregonte fare publikut që BE nga qershori 2019 deri në tetor 2022 po përgatiste zyrtarisht planin për gazifikim të Kosovës ku Qeveria e tij (sikurse ajo e Haradinajt dhe Hotit) kishte qenë plotësisht e përfshirë.

          Më 31 gusht 2021 SHBA tërhiqet përfundimisht nga Afganistani, sepse kishte informacione të besueshme që do të shpërthente luftë në Evropë (Ukrainë).

          Kështu, më 24 shkurt 2022 shpërthen lufta në Ukrainë. Futja e Rusisë në luftë në Evropë (Ukrainë) i pamundësonte Rusisë futjen nën kontroll të Afganistanit dhe kjo vazhdon të përbëjë fitoren e madhe të SHBA-së në Afganistan, sepse një Afganistan jashtë kontrollit rus, përbën fitore për SHBA-në.

         Sapo shpërtheu lufta në Ukrainë, SHBA menjëherë kishte filluar t’i ndërmerrte masat e nevojshme për ta ulur varësinë e Evropës nga energjia ruse. Kjo politikë amerikane vazhdon edhe sot derisa ta ndëpresë totalisht energjinë ruse në Evropë. Ndërkohë rritja e eksportit të energjisë amerikanë në Evropë synonte t’i siguronte kësaj të fundit siguri energjetike, sepse pa siguri energjetike nuk ka siguri nacionale nëpër vende të Evropës. Kosova është duke e përjetuar nën lëkurë të saj këtë pasiguri energjetike që po i rrit çmimet dhe po e nxit ikjen e rinisë në përmasa të frikshme.

        Në këtë kuadër, më 28 korrik 2022 në Kongresin Amerikan, qe nënshkruar marrëveshja midis Kosovës dhe SHBA-së, e përfaqësuar nga Millennium Challenge Corporation (MCC), në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh. Fillimisht SHBA kishte synuar që përmes këtyre mjeteve të ndërtonte infrastrukturën e gazit në Kosovë, por meqë kjo ishte refuzuar nga Qeveria e Albin Kurtit në shtator 2021, atëherë SHBA kishte ndryshuar destinacionin e mbështetjes energjetike për Kosovën që më pas do të ishte vetëm mbështetje për bateri ruajtjeje energjie dhe ndërtim i kapaciteteve të kapitalit njerëzor.

       Ndërkohë, më 12 tetor 2022 BE e kishte kryer zyrtarisht “Planin për Gazifikimin e Kosovës dhe mbështetja për shqyrtimin e kornizës rregullatore”. Në faqe 44 të këtij plani (shih më poshtë), në pikën 4.2.1 shkruan për opsionet e rrugëve të furnizimit me gaz (shih më poshtë linkun e dokumentit zyrtar të BE-së për Gazifikimin e Kosovës):

         “Sa i përket furnizimit me gaz, aktualisht janë duke u shqyrtuar dy opsione për importin e gazit.

Një opsion është furnizimi me gaz nga Maqedonia e Veriut përmes gazsjellësit Maqedoni e Veriut–Kosovë (gazsjellësi SKOPRI). Opsioni tjetër është furnizimi me gaz nga Shqipëria përmes gazsjellësit Shqipëri–Kosovë (ALKOGAP). Nëse këto opsione nuk realizohen me sukses, Kosova mund të furnizohet me gaz natyror të kompresuar (CNG) ose gaz natyror të lëngshëm (LNG), i cili do të transportohej me rrugë ose hekurudhë. Burimet e mundshme të LNG-së në këtë rast mund të jenë terminalet ekzistuese dhe të planifikuara të LNG-së në Kroaci, Greqi dhe Shqipëri, ndërsa CNG-ja mund të furnizohet nga stacioni operacional i mbushjes me CNG në Maqedoninë e Veriut, ose nga fabrika të reja të mundshme të CNG-së”.

           Se a ka qenë Qeveria e Kosovës (e Albin Kurtit) e shtrënguar nga evropianët për ta refuzuar gazin amerikan dhe Kompaninë Amerikane Counter Global, do ta tregojë e ardhmja, por një gjë dihet, fakti që evropianët kishin investuar shumë në ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, lë të kuptohet që ky i fundit mund të ketë qenë i detyruar nga evropianët ta refuzonte gazin amerikan dhe Counter Global-in.

          Por, dilema që ende nuk është zgjidhur është kjo: nëse Qeveria e Albin Kurtit e kishte refuzuar hapur gazin amerikan, pse atëherë ajo nuk foli asnjëherë për planin zyrtar të BE-së, i cili nga viti 2019 deri në tetor 2022 po hartohej në bashkëpunim të ngushtë mes Qeverisë së Kosovës (Haradinaj, Hoti dhe Albin Kurtit) dhe BE-së për ta gazifikuar Kosovën?! Se a e kishte në plan Albin Kurti që së pari t’i hiqte qafe amerikanët, për t’ua hapur, më pas derën evropianëve, nuk ka rezultuar deri me tani të jetë kështu. Kosova sa i përket energjisë s’ka lëvizur as kah amerikanët e as kah evropianët, thjeshtë ka ngelur tërësisht në baltë.

        Një gjë është e sigurtë, Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i energjisë, përfshirë atë serbe e ruse dhe përderisa do të jetë kështu, siguria jonë nacionale do të jetë vazhdimisht e cenueshme, sepse rritja e shpeshtë e çmimit të energjisë po nxit inflacion që po nxit ikje të frikshme të rinisë.

Të ngjashme