Se politika serbe është armiqësore ndaj Kosovës kjo nuk do shumë koment. Mirëpo, shtrohet pyetja a po përdoret kjo armiqësi e saj edhe si mjet për të mbuluar dëmet që me shumë sot po ia shkaktojnë pushtetet në Kosovë qytetarëve të këtij shteti, sesa vet Serbia?
Sepse sot fshatrat e Kosovës nuk i shkatërron Serbia. Ajo nuk prodhon viktima. Pavarësisht se nuk është distancuar nga këto qëllime, shteti serb nuk ka mundësi ta bëjë një gjë të tillë, ngase sigurinë e Kosovës e garanton KFOR-i dhe forcat tona të sigurisë. Pra sot fshatrat dhe qytetet e Kosovës, dje rajonet sikur Drenica, Vushtrria, Mitrovica e së fundi edhe qytetin i Pejës, nuk i shkreton dhe bombardon Serbia. Por ato tani janë shndërruar në viktima të vërshimeve dhe përmbytjeve që po ndodhin thuajse çdo javë.
Mirëpo, këto fenomene ne nuk guxojmë t’i shohim vetëm si trille të natyrës ku s’kemi asnjë përgjegjësi, politike dhe institucionale, sepse janë shprehje e vullnetit Absolut të Zotit, apo entiteteve tjera impersonale metafizike. Pra ti trajtojmë në mënyrë fataliste, ku i vetmi veprim që na mbetet në dispozicion është se si të strukemi për t’u mbrojtur kur harliset natyra. Përkundrazi, në masë të madhe shpeshtësia e vërshimeve dhe përmbytjeve të tilla është pasojë e politikave të korruptuara dhe dështimeve të pushtetit si në nivel komunal ashtu edhe qendror që është ndjekur ndër vite. Sepse është kjo politikë që ka lejuar shkatërrimin e natyrës, dëmtimin e pa riparueshëm të shtretërve të lumenjve, si dhe ka inkurajuar, lejuar, dhe legalizuar ndërtimet e mbindërtimet pa kriter e më kriter, dhe ka bërë investime të dobëta infrastrukturore dhe krime tjera urbanistike.
Prandaj, duke e reduktuar krejt debatin publik vetëm tek armiqësia e Serbisë, si dhe duke i trajtuar këto fenomene vetëm si incidente natyrore dhe pa përgjegjësi institucionale dhe politike, pushtetet në Kosovë, po e përdorin armiqësinë e politikës serbe sot e kësaj dite si një justifikim për të mbuluar diskutimet mbi krimet që ajo i ka prodhuar ndër vite duke shkatërruar urbanizmin, arkitekturën, ambientin, sigurinë dhe shëndetin e qytetarët e këtij vendi. Dëme këto, që për jetën e qytetarëve të Kosovës aktualisht po bëhen më fatale dhe më të mëdha se sa ato që mund t’i bëjë Serbia.