Votimi i demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, do të pengohet me gjitha format e mundshme, kanë thënë për Indeksonline zyrtarë të AAK-së dhe Nismës për Kosovën.
Ata kanë paralajmëruar edhe forma tjera të protestës nëse votohet demarkacioni. Sipas tyre kjo marrëveshje nuk do të kalojë në asnjë rast.
Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, ka thënë për Indeksonline, se do të vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë marrëveshje, siç e ka quajtur ai, të dëmshme për vendin.
“Do të vazhdojmë ta pengojmë këtë variant të marrëveshjes, ashtu siç e kemi penguar deri më tani dhe nëse votohet ky demarkacion atëherë do të ketë pasoja për Kosovën. Duam të besojmë që deputetët të votojnë me ndërgjegjen e tyre, pa ju nënshtruar presioneve dhe shantazheve që mund t’i përdor qeveria sepse deputeti përfaqëson interesin e popullit dhe të vendit, prandaj nuk duam të besojmë që ka deputet i cili do ta votojë një demarkacion që dëmton interesin shtetëror të vendit”, ka thënë Isufi.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NISMA-s, Bilall Sherifi, ka thënë se versioni i marrëveshjes aktuale në asnjë rast nuk duhet dhe nuk do të kalojë. Sipas tij, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, me këtë marrëveshje do ta fusin Kosovën në një rrugë me shumë të panjohura.
“Ne të gjithë, pa marrë parasysh se kush është në pozitë apo në opozitë, duhet të angazhohemi që Kosova të përfundojë procesin e shënimit të kufijve me shtetet fqinje. Në këtë kontekst, sigurisht që kjo duhet të bëhet edhe me Malin e Zi. Mirëpo versioni i marrëveshjes aktuale në asnjë rast nuk duhet dhe nuk do të kalojë. Jemi dëshmitar që përpos deputetëve të opozitës, tani edhe shumë deputet të mazhorancës kanë deklaruar se nuk do ta votojnë këtë version”, ka thënë ai.
Sipas Sherifit, partia NISMA, si pjesë e opozitës, do ta kundërshtojë votimin e demarkacionit me gjitha format e mundshme.
“Kosova ndodhet në një situatë ku në rastin e mos ratifikimit të kësaj marrëveshje procesi kthehet nga fillimi dhe jemi të sigurte se marrëveshja e ardhshme do të jetë shumë më e drejtë dhe më e saktë. Kjo është rruga nëpër të cilën Kosova do të ec sapo marrëveshja aktuale do të rrëzohet nga Kuvendi. Në anën tjetër kalimi eventual i kësaj marrëveshje duke kërcënuar dhe shantazhuar deputetët e mazhorancës nga Mustafa dhe Thaçi do ta fuste Kosovën në një rrugë me shumë të panjohura. Prandaj, mos ratifikimi i kësaj marrëveshje nuk ka alternativë”, ka thënë Bilall Sherifi.