Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) thotë se raporti i qeverisë së Kosovës për matjen e territorit nuk prezanton asgjë tjetër veç një grumbull përrallash me qëllim, mashtrimin e opinionit publik.
“Raporti mund të cilësohet edhe kundër interesave të Kosovës dhe fyes për klasën politike, ekspertët e fushës dhe opinionin publik. Qeveria e Kosovës është përgjegjëse pse ka lejuar, fabrikimin e një materiali të gënjeshtërt, me plot të pavërteta dhe përmbajtje joserioze grafike dhe faktike:, thuhet në një reagim të kësaj partie, që e ka kundërshtuar prej fillimit marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Kjo parti opozitare ka reaguar edhe për publikimin e disa fotografive joserioze në raport. “Publikimi i fotografive qesharake në raport, paraqet një tallje me opinionin e shqetësuar publik e politik të vendit. Kjo e ulë autoritetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në planin e brendshëm”.
AAK-ja e fton Qeverinë e Kosovës që urgjentisht ta zhvlerësojë ketë raport, ndërsa hartuesit e tij t’i marrë në përgjegjësi për tallje dhe prezantim “të faktografive të pavërteta dhe manipuluese për opinionin”.
Aleanca, po ashtu, fton “ekspertët e pavarur” që ta japin kontributin e tyre intelektual e atdhetar dhe ta thonë të vërtetën për raportin e manipuluar të matjes së territorit të Kosovës.