Kryetari i AAK-së Dega në Lipjan, Fitim Selimi, së bashku me kryesinë e saj, me këshillin drejtues dhe me shumicën e këshilltarëve të KK-së, tashmë zyrtarisht u kanë dhënë fund aktiviteteve të tyre në këtë subjekt. Ndërkohë i gjithë ky grup pritet të kalojë zyrtarisht në Partinë Demokratike të Kosovës, Dega në Lipjan. Këtë e ka konfirmuar kryetari i kësaj partie Fitim Selimi.
Ndërkohë, rreth kësaj çështjeje është debatuar gjatë në mbledhjen e fundit të kryesisë së PDK-së të martën në mbrëmje me dyer të mbyllura për media, derisa ishte i pranishëm edhe kryetari kësaj partie Kadri Veseli, transmeton koha.net.
“Kryetari Veseli e ka njoftuar kryesinë e PDK-së se kryetari i AAK-së, Dega në Lipjan, Fitim Selimi, së bashku me kryesinë dhe disa këshilltarë të KK-së do t’i bashkohen PDK-së. Prandaj shkaku i kësaj çështjeje, kryetari Veseli ka kërkuar që zgjedhjet e brendshme të PDK-së në Lipjan të shtyhen deri më 5 janar të vitit të ardhshëm”, ka thënë Ramiz Qeriqi, anëtar i kryesisë së PDK-së Dega në Lipjan, njëherësh këshilltar në KK.