Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i është kundërpërgjigjur Partisë Demokratike të Kosovës, që u shpreh se është e vetmja që ka program për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK-së, përmes një postimi në Facebook, ka akuzuar PDK-në se ia ka kopjuar idenë për fondin një miliardë eurosh për ekonominë. Sipas tij, kjo parti pret që programi të kopjohet edhe nga të tjerët.
Në përgjigjen për postimin e mëhershëm të Avni Bytyçit, zëdhënësit të PDK-së, Blaka ka publikuar detaje nga katër shtyllat e programit të AAK-së. Sipas Blakës, programi i AAK-së përbëhet nga ekonomia, siguria dhe shteti i së drejtës, mirëqenia dhe politika e jashtme si shtylla kryesore:
Në fund, Blaka ka ftuar Bytyçin ta vizitojë AAK-në “dhe me respektin më të madh do t’ia dhuroj Programin Zgjedhor 2021-2025, sepse iu hyn në punë edhe për tema të tjera, të cilat në mënyrë të detajuar specifikojnë politikat dhe veprimet që sigurojnë zhvillim dhe avancimin e shtetit tonë të përbashkët”.
Për referendumin e paralajmëruar nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, për bashkim kombëtar, Blaka ka thënë se “flasim më 2025”.
Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se është e vetmja që ka një program konkret për zgjedhjet e 14 shkurtit. Zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi, në një postim në Facebook, ka ironizuar me partitë tjera.
Sipas tij, ato “në mungesë të programeve politike u kthehen populizmit”.
“Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me një program konkret në këto zgjedhje, i cili ka vetëm një qëllim, RIMËKËMBJEN e KOSOVËS. PDK — Plan të zbatueshëm për ekonominë e Kosovës në vlerë prej 1 miliardë (Bedri Hamza). Ndërsa, në mungesë të programeve politik partitë e tjera ju kthehen populizmit; LVV — Nuk kemi plan se Albini i di të gjitha! LDK — Rikthejmë reciprocitetin e plotë ndaj Serbisë! AAK — Bashkojmë Kosovën me Shqipërinë!” ka shkruar ai në Facebook.