Edhe anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, për Radion Evropa e Lirë ka kujtuar se ky subjekt politik ka qenë pjesë e bisedimeve, por është tërhequr në kohën kur, siç thotë ai, bisedimet e kanë humbur kuptimin dhe janë krejtësisht formale.
Nitaj më tutje ka shtuar se për tema të rëndësishme nacionale, qëndrimi i Aleancës është se duhet qenë pjesë e tyre, por jo në këtë format.
“Po, ajo çka është e rëndësishme, është se ky format i bisedimeve duhet të ndërpritet menjëherë. Duhet të krijohet një platformë tjetër e bisedimeve me Serbinë, që zhvillohet mbi bazën e reciprocitetit dhe aktualisht nuk po ndodh një gjë e tillë.
Dhe për qëllim final të ketë njohjen e ndërsjellët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”
“Në një situatë të tillë mund të jemi edhe pjesë e këtyre bisedimeve, por jo në këtë format si po zhvillohen, pasi ato e kanë humbur kuptimin dhe për më tepër nuk kanë një im-pakt të përmirësimit të raporteve në terren ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Nitaj.