Koalicionit qeverisës i mungonin edhe dy vota për ta miratuar në Kuvend marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. Pas marrëveshjes për demarkacionin mes koalicionit qeverisës dhe LDK-së, votat për këtë marrëveshje, pa u llogaritur Lista Serbe, arritën në 78.
Duke qenë se për miratimin e një marrëveshje ndërkombëtare kërkohen 2/3 ose 80 vota pro, seanca për demarkacionin dështoi pasi Lista Serbe nuk erdhi në Kuvend në ditën kur pritej të votohej.
Pastaj, për një kohë seanca nuk thirrej, në tentim për të siguruar votat. Mirëpo, si për ironi, gjasat që demarkacioni të miratohet në Kuvend i shtoi Vetëvendosja, e cila edhe pse kundërshonte ashpër këtë marrëveshje, pikërisht një deputete që ishte në këtë parti duket se do të japë votën pro.
Kthimi i Donika Kadaj Bujupit në AAK e afroi në minus një votë miratimin e demarkacionit, kurse ministri Pal Lekaj u ka thënë sot gazetarëve në hollin e Kuvendit se votën e fundit do ta japë deputeti Adem Hoxha, që bën pjesë në Grupin Parlamentar të Listës Serbe, por është anëtar i partisë së goranëve (JGP).
Siç ka thënë Lekaj, deputeti Hoxha ka siguruar koalicionin qeverisës që nëse mbledhin 79 vota, ai do ta japë votën që do ta bënte dallimin për ratifikimin e demarkacionit.
Të martën në orën 14:00 do të fillojë seanca për demarkacionin ku pritet t’i jepet fund odisesë së kësaj marrëveshjeje.
(Në foto: Deputeti Adem Hoxha në një takim të mëparshëm me ministrin e AAK-së, Pal Lekaj)