Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kritikuar Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti për mospublikimin e Programit Qeverisës, raporton Ekonomia Online.
Zyrtarë të kësaj partie në një konferencë për medie kanë thënë se sfidat me të cilat po përballet vendi nuk lejojnë komoditet për Qeverinë, por as për opozitën.
Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se kjo Qeveri ka ardhur me premtime të mëdha, porse puna nuk po i shihet.
“Po e shohim që kjo qeveri është e pushtetit dhe jo e shtetit. Kjo qeveri po shihet se e ka zhurmën shumë të madhe e punët kërkah. Zhurmën si tupan, e punët askund”, u shpreh Tahiri, ish-zëvendëskryeministër në Qeverinë e kaluar.
“Sot janë bërë dy muaj që kur kanë përfunduar zgjedhjet. Dhe Qeveria Kurti është duke qeverisur pa program”.
“Njëkohësisht po shohim se po ka kohë të shkojë në fushata në Shqipëri, vendin ta mshel dhe mos të merret me detyrat prioritare dhe të qeveris me një program transparent i cili është në mbikëqyrje të Kuvendit”.
Tahiri paralajmëroi Qeverinë se nuk guxon të rrisë çmimin e rrymës, si dhe pati disa kritika të tjera. “E para ka të bëjë me energjinë – nuk guxon të rritet çmimi i energjisë, në program duhet të përfshihet miratimi i Ligjit për paga që rregullon pagën edhe të mjekëve e policëve. E treta ka të bëjë me Policinë, pra sigurimin shëndetësor dhe pensionimin”, ka deklaruar ai.
Nënkryetarja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se Qeveria Kurti nuk ka treguar që ka vizion qeverisës.
‘Një strukturë e cila ka kapacitetin t’i fitoj zgjedhjet, do duhej të kishte edhe kapacitetin për të marrë përgjegjësitë për proceset që nga dita e parë e qeverisjes. Jemi në përmbyllje të muajit të parë të qeverisë Kurti, e ne ende nuk kemi parë Programin Qeveritar, të bazuar në premtimet e fushatës elektorale. Kjo është shqetësuese, jo vetëm për ne si subjekt opozitar, por për të gjithë qytetarët e vendit. Humbja e muajve mund të rezultojë me humbje të viteve.Kthimi në normalitet nuk toleron veprime pa një Program Qeveritar, i shoqëruar me një Plan Veprimi’, tha Haxhiu.
‘Si rezultat, ne deri tani kemi parë veprime populiste, e fatkeqësisht edhe shfaqje të nepotizmit, lëndim të raporteve me shtetin tonë amë, veprime këto që janë kritikuar ashpër nga mediet dhe qytetarët. Kemi parë një vendim të padrejtë e pa asnjë bazë shkencore, me të cilin u godit ekonomia e vendit, me mbylljen e gastronomisë dhe vendosjen e orës policore”.
“Pra, si është e mundur që në njërën anë ta mbyllësh shtëpinë tënde( mbyllja e gastronomisë dhe dëmet krejtësisht të panevojshme ekonomike),ndërsa në anën tjetër të shfaqesh e të bësh lojën e djallit në mënyrën më të pakuptimtë në shtetin amë, madje duke e lënduar rëndë demokracinë”.
“Ky është një paradoks që vetëm një qeveri si kjo e Albin Kurtit mund ta bëj, në vend të zgjidhjes së problemeve dhe punëve që kanë para vetes çdo ditë e çdo minutë”, tha Haxhiu.
“Një Qeveri e cila ka dalë nga një mbështetje popullore, nuk do të duhej të frikësohej nga komunikimi me publikun, e as nga transparenca. Një qeveri e tillë, nuk duhet të konsiderojë se me përfundimin e zgjedhjeve, ka përfunduar edhe kujdesi ndaj qytetarëve, të cilët e sollën në pushtet”, tha ndër të tjera Haxhiu.