Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërpresë bisedimet me Serbinë dhe të mos lejojë zyrtarët serbë të hyjnë në Kosovë.
Nënkryetarët Ardian Gjini dhe Ahmet Isufi, mbajtën një konferencë të jashtëzakonshme për media, pas ndalimit të djeshëm të kreut të partisë, Ramush Haradinaj, në aeroportin e Baselit nga autoritetet franceze, në bazë të fletarrestit të Qeverisë së Serbisë të lëshuar në vitin 2004.
Nënkryetari Ardian Gjini duke rikujtuar ndalimin e mëhershëm të Haradinajt në Slloveni, tha se kjo nuk është hera e parë që po ndodh me ish-kryeministrin Haradinaj. “Edhe opinioni kosovar edhe opinioni më i gjerë tani më e ka të qartë se Serbia po i përdorë të gjitha mekanizmat për t’i bërë presion Kosovës, që ta poshtërojë Kosovën dhe që ta fusë në pozita shumë të palakmueshme”, tha Gjini.
Ai njoftoi edhe për kërkesat e AAK-së lidhur me rastin. “Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës menjëherë t’i ndërpresë bisedimet me Qeverinë e Serbisë dhe të mos i vazhdojë ato deri sa të mos tërhiqen aktakuzat dhe fletarrestet për udhëheqësit politik të Kosovës. Po ashtu kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që në mënyrë reciproke të mos i lejojnë që zyrtarët serbë të hyjnë në Kosovë përderisa një gjë e tillë të mos ndodhë”, tha ai.
Ai po ashtu kërkoi nga autoritetet franceze që ta kuptojnë se ky fletarrest nga Serbia nuk ka të bëjë me drejtësinë dhe se ky është një fletarrest politik i lëshuar me qëllim të dëmtimit të Kosovës dhe të shkatërrimit të imazhit të vendit. “Pritet që gjatë ditës që Haradinaj të hyjë në procedurën legjitime në Francë dhe po ashtu dhe shpresojmë që ky do të përfundojë sa më shpejtë që është e mundshme”, tha Gjini.
Gjini bëri të ditur se shërbimet diplomatike në Francë e kanë vizituar Haradinajn dhe njoftoi se është biseduar edhe me ambasadorin francez në Kosovë, i cili ka treguar se po bëhet gjiçka e mundshme që sipas rregullave kjo procedurë të kryhet sa më shpejtë.
Ndërkaq për pyetjen e gazetarëve se a duhet ndaluar ardhja e nesërme e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq në Kosovë, Gjini theksoi se kjo është më e pakta që Qeveria e Kosovës mund të bëjë në këto rrethana. Ai shtoi se “Ky rast duhet ta çojë Kosovën nga gjumi”. Ai së fundmi theksoi bindjen se autoritetet franceze e kanë kuptuar drejt situatën dhe që së shpejti presin një vendim pozitiv rreth këtij rasti.
Me rastin e Krishtlindjes Ortodokse, presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ka paralajmëruar një vizitë në Kosovë.
Burime nga Ministria e Jashtme e Kosovës thanë për “Ekonomia Online” se janë duke e shqyrtuar mundësinë që vizita të mos lejohet.