Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një kumtese për media ka bërë të ditur se në zgjedhjet e djeshme të balotazhit kanë fituar komunën e Rahovecit dhe se sipas tyre, shkrimet e disa medieve për mundësinë e ndryshimit të rezultatit janë të pa sakta dhe tendencioze.
“Në zgjedhjet e djeshme të balotazhit për Kryetar të komunës së Rahovecit, kandidati i AAK-së, Smajl Latifi, pas një performancë të jashtëzakonshme dhe bindëse gjatë tërë fushatës, arriti që të dali fitues në garën për kryetar të kësaj komune.Në zgjedhjet e djeshme kryetari Latifi mori 10 mijë e 483 vota, kurse kundërkandidati i tij Idriz Vehapi i PDK-së, 10 mijë e 197 vota, pra dallimi është 286 vota, kurse janë të pa numëruara 262 vota me kusht”
“Shkrimet në disa portale për gjoja mundësin e ndryshimit të rezultatit në këtë komunë dhe mundësisë së humbjes së kësaj komune nga AAK-ja, i shohim si të pasakta dhe tendencioze, sidomos kur kemi parasysh se fitorja e Smajl Latifit është me 286 vota dallim, edhe sikur të gjitha 262 votat me kusht të shkojnë për kundërkandidatin, prapë Smajl Latifi është fitues”, thuhet në kumtesën e AAK-së