Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerëson se Projektligji për Demarkacionin me Malin e Zi, është rezultat i një pune të madhe dhe përpjekjeve të vazhdueshme të spektrit politik e të partnerëve ndërkombëtarë.
Partia e Haradinaj, i cili e udhëheq dhe Qeverinë, nëpërmes një komunikate shtypi, thotë se “nuk ka qenë aspak e lehtë që të mbërrihet deri në këtë pikë dhe në këto çaste vendimtare, është i domosdoshëm kontributi i të gjithëve”.
AAK beson se projektligji i propozuar nga Qeveria është bazë e mirë ligjore, e cila garanton shënjim korrekt të kufirit me fqiun tonë Malin e Zi, qasja e të cilit duhet vlerësuar po ashtu.
“Ky projektligj, njëkohësisht është në interes të qytetarëve, lirisë së tyre të lëvizjes, por edhe të rrugëtimit të Kosovës e të Malit të Zi drejt BE-së”, thekson ky subjekt politik.
“Prandaj ne besojmë fuqishëm se nuk do të lëshohet momentumi i krijuar dhe u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të mërkurën që vjen, me votën e tyre ta miratojnë projektligjin e propozuar nga Qeveria dhe t’i japin një shans vendit duke e ruajtur njëkohësisht, çdo metër të territorit të vet”.