Abazi denoncon lobuesin e Qeverisë Kurti në ShBA: Ka keqmenaxhuar fondet

Prishtinë | 20 Kor 2023 | 10:37 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovë, Haki Abazi, ka folur për kontratat që Qeveria Kurti i ka ndarë për të lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Abazi ndonëse nuk përmendi emra, pretendoi se përfaqësuesi i kompanisë së angazhuar nga Qveria Kurti për lobim në ShBA, e ka shuar Këshillin Shqiptaro-Amerikan për shkak të “keqmenagjimit të fondeve”.

Këto pretendime, ai i mbështet duke u shprehur se për pasojë as sot nuk Këshilli Shqiptaro-Amerikan.

“Kontrata qeveritare e Lobimit në Amerikë! Se kjo qeveri nuk e ka as idenë se çfarë po bën, tregon edhe kontrata për lobim në SHBA. Sipas informacionit, kompania e angazhuar nga qeveria e Kosovës për lobim në SHBA, para së gjithash përfaqësuesi e ka shuar Këshillin Shqiptaro Amerikan për shkak të keqmenagjimit të fondeve duke humbur statusin “earmarked funding” nga qeveria amerikane. Si pasojë sot nuk ekziston Këshilli Shqiptaro Amerikan”, shkroi ai në Facebook.

Së dyti, ai shprehet se përfaqësuesi i kompanisë së kontraktuar nga pushteti i LVV-së ka qenë kundërshtari më i madh i çdo ndryshimi politik në Kosovë.

“Në mënyrë aktive dhe madje shumë joprofesionale duke keqinformuar dhe manipuluar me informacion kundër të gjithë atyre që kanë pasë qëndrim e angazhim kundër grupeve të korrruptuara dhe të kriminalizuara, për këte është ballafaquar drejtpërsëdrejti”, ka deklaruar Abazu.

“Ndikimi i përfaqësuesit lobues në Washington DC, është i barabart me zero në mos negativ për shkak të rolit të tij në shuarjen e Këshillit Shqiptaro Amerikan. Mungesa e thellë e njohurive dhe informacionit dhe arroganca e Ministrës së Punëve të Jashtme jo që ka dëmtuar seriozisht interesin e Kosovës por vebdimet janë bërë burim i dëshprimit dhe dekurajimit për diplomatët dhe punën e tyre në vendet përkatëse”, përfundoi ai.

Të mërkurën u raportua se kompanitë e kontraktuara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës për lobim në SHBA – Afërdita Rakipi Communications dhe Ambal – nuk kanë pasur asnjë marrëveshje lobimi të regjistruar më parë në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Në deklarimet e tyre, pronarët e dy kompanive, Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj, thonë se janë të angazhuar me orar të pjesshëm në detyrën e tyre për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”, shkroi REL, transmeton paparaci.

Bazuar në kontratat e nënshkruara më 26 qershor dhe të vlefshme për një vit, Rakipi dhe Mustafaj do të paguhen nga 147 mijë euro nga MPJD-ja për aktivitetet e tyre.

Rakipi, e lindur në Miçigen të SHBA-së, e ka njohur ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, edhe para kontraktimit për lobim. Nëntë vjet më parë, Gërvalla e ka etiketuar atë në një sfidë leximi përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.

Në llogarinë e saj në Twitter, Rakipi nuk ka bërë ndonjë postim origjinal prej se presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën në fillim të vitit 2021. Por, që atëherë, Rakipi i ka shpërndarë disa postime të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ajo, gjithashtu, ka shpërndarë postime ku kritikohet qëndrimi i SHBA-së lidhur me tensionet e fundit në veri të Kosovës.

Aktualisht, në llogarinë e tij në Twitter, edhe Mustafaj shfaqet kritik ndaj Bashkimit Evropian për qëndrimin e mbajtur ndaj Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Duke reaguar ndaj një postimi të Departamentit amerikan të Shtetit për ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, Mustafaj shprehet kritik edhe ndaj SHBA-së.

“Amerikës, në të vërtetë botës, i mungon mençuria dhe guximi i Madeline Albrightit për ta bërë atë që është e drejtë. Më duhet të besoj se ajo do të ishte tmerrësisht e zhgënjyer që SHBA-ja nuk po qëndron fort prapa Kosovës në vend që ta qetësojë [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq – një diktator. Populli i Kosovës meriton më mirë”, shkroi ai në Twitter.

Të ngjashme