Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me kërkesën për “kohë shtesë” në procesin e konstituimit të institucioneve, duke e cilësuar atë si një veprim që cenon rendin kushtetues.
Përmes një postimi publik, Abazi ka thënë se kërkesa e Kurtit është “episodi i radhës në serialin për shkatërrimin e LDK-së dhe goditje e radhës për rendin kushtetues”.
Ai ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon zgjatje të afateve, duke përdorur një krahasim me futbollin.
“Kushtetuta e Kosovës nuk është Kampionat Botëror që të kërkosh vazhdime dhe 11-metërsha. Kjo është Kushtetutë. Rregulla. Afate. Republikë”, ka shkruar Abazi.
Sipas tij, Kurti nuk po kërkon kohë shtesë për interes të Kosovës, por për të ushtruar presion politik ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Abazi ka pretenduar se bëhet fjalë për një strategji politike që synon krijimin e krizës, fajësimin e LDK-së për situatën dhe më pas paraqitjen e zgjidhjes nga vetë ai që, sipas tij, e ka shkaktuar krizën.
Në fund të reagimit, ish-zëvendëskryeministri ka theksuar se “Kushtetuta nuk ka ‘kohë shtesë’. Ka vetëm skadencë”, duke argumentuar se respektimi i afateve kushtetuese është thelbësor për funksionimin e shtetit.