Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka thënë se sanksionet e vendosura nga BE-ja për Kosovën e forocojnë kryeministrin Kurti në popullizëm, porse këto sanksione e dobësojnë Kosovën si shtet.
“Nuk ka investitor që do të investojë në një vend ku ka sanksione”, tha Abazi, tani deputet i pavarur.
Sipas tij, Kurti nuk e ka hallin e disponimit të diasporës. “I bie që jemi duke e bërë gabimin e radhës historik të vetizolimit të vetës edhe mbetjes prapa të proceseve të rëndësishme”.
Sipas Abazit, Kurti po tenton të bëjë “diktaturë elektronike”.
“Duke përdorur teknologjinë informative në funksion të politikës…shumica e kohës shpenzohet duke mundu me bërë indoktrinim nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik.”, deklaroi Abazi në “Click” të RTV21.
Ai u përgjigj me “jo” kur u pyet se a ka votë për rrëzimin e Qeverisë Kurti.
“Absolutisht jo, nëse matjet në publik janë që përkrahja te qytetarët ekziston për këtë qeveri… sepse demokracia u pajtove e nuk pajtove duhet me u respektu, përndryshe do isha edhe unë kampin e Kurtit ku nuk respektohet”.
“Deri në momentin kur Kurti nuk dëshmon qytetarëve të kundërtën duhet të jetë në udhëheqje, ka marrë mandate… Ne do e luftojmë në metoda demokratike”, deklaroi Haki Abazi.