Abazi: Qeveria në detyrë do të zgjasë derisa të mbahen zgjedhjet

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri Haki Abazi ka thënë në emisionin Frontal të Televizionit 7 se Qeveria Kurti do të vazhdojë të jetë në detyrë derisa të krijohet situata për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Qeveria në detyrë do të zgjasë deri nga mundësia për zgjedhje sepse ashtu thotë Kushtetuta”

Abazi nuk beson se do të mund të formohet Qeveria e re dhe thotë se Lëvizja Vetëvendosje po e pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër. Këtë ai e bazon te disa deklarata të juristëve.

“Duke pasur parasysh deklaratat e ekspertëve, përfshirë edhe të profesor Bajramit, i cili ka qenë pjesë e hartimit të Kushtetutës. Ne nuk mund ta shkelim Kushtetutën për hatër askujt. Askush nuk duhet të frikësohet nga kushtetushëmeria dhe e drejta e votuesit për të zgjedhur Qeverinë e vetë”

“Ne jemi në kërkim të formës më të mirë për të tejkaluar kapjen e shtetit” , ka thënë ai.

Ndryshe, Abazi thotë se Qeveria Kurti, që sot i ka mbushur 100 ditë, do të mbahet mend për menaxhimin, sipas tij, të mirë të pandemisë.

“Kjo Qeveri do të mbahet mend për menaxhimin e situatës së pandemisë. Ne jemi përballë me të pas tri javëve pasi e kemi marrë pushtetin”, ka thënë zv.kryeministri, duke numëruar vendime të Qeverisë për të cilat, sipas tij, do të mbahet mend nga Qeveria tash në detyrë.

Të ngjashme