Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Haki Abazi ka pritur të mërkurën në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ku u zotuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ndër të tjera ata diskutuan edhe lidhur me procesin e rifillimit të dialogut për të përmirësuar marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Zëvendëskryeministri Abazi dhe Ambasadori Orlando diskutuan në detaje masat, që ka marrë shteti Italian në lidhje me situatën e krijuar nga coronavirusi.
Ambasadori Italian Orlando shprehu gatishmërinë për të qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe bashkëndarë përvojat e shtetit italian në preventivën dhe masat e tjera parandaluese, por edhe veprimeve konkrete të ndërmarra nga institucionet për minimizimin e përhapjes së tij, në rast të paraqitjes së këtij virusi në Kosovë.
Situata në Itali është shumë serioze dhe praktikisht, Qeveria italiane ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke kërkuar që qytetarët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të pezullohen të gjitha aktivitetet e tjera përveç shërbimeve më themelore dhe urgjente.
Ambasadori Italian Orlando ka sugjeruar qe Kosova të jetë shumë vigjilente dhe e gatshme për t’u mobilizuar, për shkak se është e rrethuar nga vende të cilat tashmë janë prekuar nga ky virus.
Ky takim nuk kishte për qëllim ngjalljen e panikut, por përkundrazi, rritjen e kujdesit dhe vëmendjen maksimale për çdo rast.