Nesër në Prishtinë mbahet tubim në përkrahje të Ukrainës

Prishtinë | 06 Mar 2022 | 14:32 | Nga Ekonomia Online

Organizatat joqeveritare dhe Institucionet e Republikës së Kosovës nesër organizojnë tubim në përkrahje të Ukrainës.

Qytetarët janë ftuar që në Sheshin Skënderbeu të mblidhen në mesditë në orën 12.

Këtë lajmërim e ka bërë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

Statusi i plotë.

“SOLIDARIZIM QYTETAR ME POPULLIN UKRAINAS

DITA: E Hënë, 07 Mars 2022,

ORA: 12:00

VENDI: Sheshi Skënderbej, Prishtinë

ORGANIZATORËT: Organizatat joqeveritare dhe Institucionet e Republikës së Kosovës

Lufta si rrjedhojë e agresionit Rus në Ukrainë po vazhdon të marrë përmasa shkatërruese para së gjithash për jetët e njerëzve, (fëmijëve, grave dhe të moshuarve) të cilët tashmë janë bërë cak i goditjeve Ruse.

Shkatërrimi i infrastrukturës, pastrimi i fshatrave dhe qyteteve nga makineritë ushtarake, radhët e gjata të njerëzve duke kaluar kufijtë për të qenë më të sigurt, janë kujtimi i freskët i Luftës nëpër të cilën ka kaluar populli ynë. Andaj, në shenjë solidarizimi dhe përkrahje me popullin Ukrainas, përfaqësuesit legjitim të popullit Ukrainas e në mbështetje të luftës së tyre heroike për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë, ju ftojmë që të mblidhemi në Sheshin Skënderbeu në qendër të Prishtinës, ditën e Hënë me datë 7 mars 2022, në mesditë, në ora 12:00h.

Mbledhimi para Teatrit Kombëtar është tregues i përcaktimit dhe bashkimit të popullit të Kosovës me të gjithë popujt paqedashës, që po protestojnë nëpër sheshet e të gjitha qyteteve të shteteve demokratike për ta kundërshtuar luftën dhe agresionin Rus dhe që hapur e pa hezitim po kërkojnë ndaljen e luftës dhe pushtimit të Ukrainës.

Ne si popull, gjatë agesionit Serb në Kosovë kemi gjetur përkrahjen nga shtetet dhe popujt demokratik në ditët me të vështira të historisë sonë të re, kësisoj solidarizohemi dhe bashkëndjejmë dhimbjen e madhe, që populli Ukrainas po kalon këto ditë.

Ju ftojmë, që me vete të merrni shiritat me ngjyra të flamurit Ukrainas apo të visheni dhe të mbani në duar pankarta dhe flamujt të Ukrainës dhe shteteve demokratike”, ka shkruar Abazi në llogarinë e tij në Facebook.

Përndryshe, Rusia ditë më parë ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, mirëpo është duke u përballur me rezistencë të fortë atje si dhe njëkohësisht me sanksione të fuqishme perëndimore.

Deri më tani, në shumë vende janë organizuar marshe dhe tubime në shenjë solidarizimi me popullin e Ukrainës. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme