Rama: Stabiliteti në rrezik, rajoni ynë i njeh luftërat – të lëvizim pasi e ardhmja mund të jetë e errët dhe e dhimbshme

Prishtinë | 28 Shk 2024 | 12:45 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

“Ukraina nuk po lufton veç për veten”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij në nisje të Samitit për Ukrainën që po mbahet në Tiranë.

Rama tha lufta në Ukrainë është “kërcënim mjaft real ndaj sigurisë së Europës dhe rendit global”, ndërsa kërkoi që në Ballkanin Perëndimor “të qëndrojmë së bashku”.


“Të bëjmë gjithçka që mundemi për të mos e lënë agresionin të shpërblehet. Ne nuk mundemi dhe nuk duhet ta lëmë Rusinë të fitojë e Ukrainën të humbasë. Një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm. I gjithë projekti europian, përfshirë edhe ekzistencën e Bashkimit Europian, do të ishte në rrezik. Ëndrra jonë e përbashkët për një të ardhme me paqe, prosperitet, do të çohej në buzën e një të ardhmeje shumë shumë më të errët, një e ardhme që është shumë e dhimbshme për t’u parafytyruar”, tha ai.

Rama kujtoi se në rajonin e Ballkanit Perëndimor i njohin luftërat dhe pasojat e tyre. Plagët e tyre, tha se “ende duhen shëruar”.

“Kolegë e miq, e dimë më shumë se mirë se rajoni ynë e kontinenti ynë nuk janë të panjohura me luftërat dhe pasojat e tyre shkatërrimtare. Europa siç e njohim doli pas dy luftërave të tmerrshme botërore vetëm shekullim e shkuar. Në rajonin tonë, pas më shumë sesa një çerekshekulli, plagët e thella të lëna nga shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë, diktatura e fundit e Europës sonë të përbashkët, ende duhen shëruar”, tha ai.

Rama kërkoi që në Ballkanin Perëndimor të ketë angazhim për paqen, “në mënyrë paqësore, konstruktive, në emër të brezave të ardhshëm”.

Stabiliteti, tash është në rrrezik, tha Rama duke kutjuar se “nuk duhet të biem pre” e paqëndrueshmërisë.

“Për fat të keq, e gjithë kjo është tanimë në rrezik, sepse rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla po sfidohet, sepse marrëdhëniet e pushtetit janë shndërruar në përplasje për pushtet, sepse orekset e vjetra për dominim po hapen më tej. E gjitha kjo mbjell frikë dhe një ndjenjë të mprehtë paqëndrueshmërie. Nuk mundemi e nuk duhet të biem pre e kësaj. E vetmja zgjidhje që kemi është që t’u rezistojmë në mënyrë të përbashkët forcave që kërkojnë ta zhbëjnë atë që kemi ndërtuar së bashku”, tha ai.

Paraprakisht, kryeministri i Shqipërisë tha se “Vladimir Putini donte ta fshinte Ukrainën nga harta për çështje ditësh, por sot Ukraina është më shumë se kurrë e ankoruar në Europë, e edhe më besimplotë se kurrë për fatin e vetë europian”.

“Hedh sytë rreth kësaj tryeze, shoh fytyra të njohura, fytyra miqësore. Pas një historie të gjatë luftërash, konfliktesh, marrëdhëniesh të ngrira, të gjithë ne këtu në Ballkanin Perëndimor jemi bërë bashkë për të paktën një dekadë për t’u takuar, për të folur për sfidat tona, për të planifikuar të ardhmet tona, pavarësisht asaj për të cilën ende mund të mos biem dakord, për të parë përpara, në vend se të shohim pas historinë brutale të ndasive të përgjakshme që na kanë mbajtur peng për kaq shumë breza. E ardhmja që në Shqipëri shohim është e ardhmja e përbashkët, ku jetojmë në paqe me fqinjtë, ku punojmë në bashkëveprim me partnerët tanë e qëndrojmë në miqësi me botën”, tha Rama.

Ai i bëri thirrjen e përsëritur Rusisë për ta ndalur luftën.

Të ngjashme