Boiken Abazi, kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka thënë se do të përpiqen t’i hapin rrugën ndryshimit tërësor të politikës atje.
Abazi që kandidon në zgjedhjet parlamentare të 24 marsit në Shqipëri, për Qarkun e Tiranës në një intervistë për klankosova.tv ka shpalosur edhe planprogramin e këtij subjekti politik.
“Ne zotohemi në programin tonë të jemi një zë i pakompromentuar dhe i pakorruptueshëm në parlament. Transparency International ditët e fundit nxori një raport se si në Shqipëri parlamenti voton sipas dëshirave të oligarkëve. Ne do të veprojmë sipas interesit të qytetarëve, dhe programit tonë. Gjithnjë me transparencë”.
Sipas tij, slogani me të cilin garojnë “Krejt Tjetër” paraqet dëshirën e secilit qytetar për të përmirësuar mirëqenien, për të shtyrë rininë të qëndrojnë e mos të emigrojnë jashtë, e për ta ndalur korrupsionin.
“Ne jemi aktivistë për të njëjtat ideale, dhe sigurisht që ngjajmë në komunikimin tonë publik edhe në Shqipëri e Kosovë. Slogani ynë në Shqipëri është KREJT TJETËR, sepse paraqet dëshirën e secilit qytetar për të përmirësuar mirëqenien, për të shtyrë rininë të qëndrojnë e mos të emigrojnë jashtë, e për të ndalur korrupsionin.
Partitë e tjera nuk kanë programe e politika, por vetëm gënjeshtra, prandaj duam të themelojmë një politikë krejt tjetër, që e mban fjalën. Një politikë të së vërtetës”.Abazi ka pohuar se bashkimi Kosovë-Shqipëri do të ndodhë, siç tha ai “paqësisht e demokratikisht, përmes referendumeve”. Ai shton se për të arritur deri aty, duhet bërë shumë punë.“Për të arritur deri aty, duhet bërë shumë punë. Ende qeveritë tona nuk kanë zbatuar as marrëveshjet sektoriale që vetë i kanë lidhur. Me qeverinë e re të Albin Kurtit në Kosovë kjo gjë do të ndryshojë. Bashkimi na sjell siguri, zhvillim ekonomik, paqe të qëndrueshme dhe demokraci”, tha ai.
◦i