Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicolas Abbott, ka vizituar të hënën Administratën Tatimore të Kosovës. Ambasadori Abbott në këtë vizitë të fundit në mandatin e tij, ka shprehur vlerësimin e thellë për bashkëpunimin e ngushtë dhe konstruktiv me autoritetet tatimore të Kosovës gjatë këtyre viteve.
Ai tha se Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka punuar në mbështetjen dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe teknike të hetimeve tatimore, të cilat janë në interes të luftimit dhe parandalimit të shmangieve tatimore, si dhe të përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe krijimit të mundësive të reja për investime.
Gjatë kësaj vizite, Abbott ka dhuruar një dron dhe pajisje tjera profesionale që do të ndihmojnë për përmirësimin e efikasitetit dhe kapaciteteve të Administratës Tatimore të Kosovës. Ky veprim shënon përkushtimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar në avancimin e strukturave dhe proceseve hetimore në vend.
Drejtori Ekzekutiv i ATK-së Ilir Murtezaj, u shpreh se vizita e Ambasadorit Abbott është privilegj dhe mesazh për ATK-në, pasi që është në përmbyllje të mandatit të tij. Murtezaj theksoj se Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi ka dhënë kontribut i cili do të jetë pjesë e pashlyer e historisë tatimore. Fokusi i përkrahjes ka qenë çdoherë në pikat ku reflektimi në rezultate ka qenë i pa diskutueshëm. Ne edhe sot kur po flasim pranuam pajisje të cilat do të na ndihmojnë të shtyjmë përpara procese dhe hetime që do të kryhen nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës.
Në fund të fjalës së tij, Drejtori Murtezaj e falënderoj Ambasadorin Abbott për kontributin e tij dhe bashkëpunimin e frytshëm i cili do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke i uruar suksese në angazhimet e radhës.