Fondacioni i Uestminsterit për Demokraci (WFD) ka mbajtur tryezën e diskutimit “Përfaqësimi i mirëfilltë dhe me integritet politik në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Drejtuesi i Fondacionit i Uestminsterit për Demokraci në Kosovë, Fitim Mulolli, tha se raporti ka të bëjë me krahasimin të listave për kandidatë të zgjedhjeve të vitit 2017 dhe 2019.
“Qëllimet e këtyre raporteve janë që mund të përdoren në mënyrë të shumëfishtë. Vërehet një trend shumë shqetësues ku 81% e qytetarëve nuk kanë tentuar me raportuar deputetin e zgjedhur”, tha ai.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot, tha se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk përkrahë asnjë parti apo kandidat të veçantë.
“Në secilën demokraci moderne zgjedhjet paraqesin një moment të rëndësishëm për vendin dhe kjo është një mundësi e mirë që kosovarët të zgjedhin drejtimin e shtetit të tyre në zgjedhjet e 6 tetorit. Kosova është shtet i ri dhe demokraci e re dhe ne do të vazhdojmë të përkrahim zhvillimin tuaj, por Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk përkrah ndonjë parti apo kandidatë veçantë në zgjedhje”.
Abbot shtoi se qytetarët me votën e tyre mund të shpërblejnë apo të ndëshkojnë të zgjedhurit e tyre.
“Është me rëndësi që votuesit të shfrytëzojnë mundësitë që ofron demokracia dhe forcën që ajo ua jep atyre për të zgjedhur dhe për të ndryshuar përfaqësuesit e tyre. Po kjo nuk do të jetë e mundur pa daljen tuaj masive në zgjedhje. Është në dorën tuaj të shpërbleni apo të ndëshkoni të zgjedhurit e tuaj me votën tuaj”.
Sipas tij pjesëmarrja e të rinjve në zgjedhje është thelbësore.
“Pjesëmarrja e grave dhe të rinjve në zgjedhje është thelbësore sepse të rinjtë janë e ardhmja e Kosovës kurse gratë përbëjnë gati gjysmën e popullsisë”.
Ai theksoi se secila parti po mundohet të respektojë kuotën në minimumin e saj , por numri i ulët i grave dëshmon përjetimin e kuotës vetëm si detyrim ligjor.
“Kjo nënkupton që secila parti është munduar të respektojë kuotën në minimumin e saj , por numri i ulët i grave dëshmo përjetimin e kuotës vetëm si detyrim ligjor e jo si mekanizëm për sigurim barazie”.
Ai tha se ndërkombëtarët arritën ta ndihmojnë popullin e Kosovës në ndërtimin e lirisë ndërsa Kosovës i mbetet ta ndërtojë demokracinë.
Menaxheri i Programit i Uestminsterit për Demokraci në Kosovë, Albert Krasniqi, tha se numri i grave që zgjedhën me kuotë është i madh dhe ka një përmirësim.
“Sa i përket krahasimit të listave në aspektin gjinor ato dominohen prej burrave. Përqindja e votave në PDK gratë janë votuar vetën 17% , në LDK janë votuar 26% , në VV janë votuar 20%, AAK 17% dhe Nisma 20% , këto përqindje janë të vitit 2017. Numri i grave që zgjedhën me kuotë është i madh dhe ka një përmirësim. Në zgjedhjet e vitit 2014 , 43 vjeçare ka qenë mosha mesatare , në vitin 2017 ka qenë 41 mosha mesatare dhe në vitin 2019 është 43. Përfshirja e të rinjve në lista ka një trefishim në këto zgjedhje. VV-ja prinë me 33 të rinj ndërsa LDK ka më së pakti të rinj vetëm 10”.
Krasniqi tha se vetëm dy prej subjekteve politike premtojnë ndërtimin e Spitalit të Prishtinës
“Sa i përket punës dhe mirëqenies sociale mendohet të ketë rritje të pagave deri në 10% , shtim të numrit të inspektorëve, 25-30 mijë vende të reja të punës dhe shtesa për fëmijë dhe pushim prindëror. Sa i përket arsimit partitë premtojnë bursa për vajza , arsim të lartë pa pagesë dhe shujta të shëndetshme”.
“Premtimi i dy subjekteve politike është themelimi i spitalit të Prishtinës. Në qoftë se deputetët kanë ndërruar partin politike sipas anketimeve 68% e qytetarëve do ta votojnë sërish atë deputet. Sipas anketës së qytetarëve në qoftë se partia e tyre ka kandidat të korruptuar atëherë 57% e qytetarëve nuk do ta votojnë më atë parti. 19% e qytetarëve thonë së kanë pas premtime nga politikanë për punësim e tyre apo të familjarëve të tyre. 51 % e të anketuarve janë pro të rinjve në zgjedhje dhe 22% nuk janë pro”, tha ai, raporton EO.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, tha se KQZ-ja do të duhej t’i sanksiononte partitë politike që nuk e kanë respektuar Ligjin për Barazi Gjinore.
“Çështjet e grave po përsëriten sërish. Ka interesim të vajzave të reja për të dalë në votim dhe ne po bëjmë thirrje që të marrin pjesë në votime sepse vetëm kështu fuqizohen. Partitë politike e kanë votuar ligjin për barazi gjinore 50/50 të përfaqësimit në të gjitha institucionet ligjore po ashtu edhe në listën zgjedhore sepse këto janë e vetmja shansë për ta vendosur gruan në jetën politike. KQZ-ja do të duhej t’i sanksiononte partitë politike që ato parti nuk e kanë bërë ligjin e barazisë gjinore 50/50. Gjykata themelore e ka padit KQZ-në për mos respektim të barazisë gjinore”, raporton EO.