Këshilltarët kërkojnë raport për shpenzimet e varrimit në Fushë-Kosovë

Prishtinë | 01 Shk 2021 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari nga radhët e Partisë së Drejtësisë (PD) në Fushë-Kosovë, Ali Ismaili, ka kritikuar zyrtarët komunalë se nuk kanë sjell raport për vitin 2020 për shpenzimet e varrimit.

Ismaili i cili është edhe vetë imam në këtë komunë, ka thënë se kërkesa e re për mbulimin e shpenzimeve të varrimit për vitin 2021 do të duhej t’i bashkohej një raport që tregon se sa raste të vdekjeve kanë qenë në Fushë-Kosovë, nga sa mjete i kanë marrë imamët, etj.

“Unë kam vërejtje për mungesën e materialit për këtë pikë. Nuk kemi raport të na tregon se sa raste i kemi pasë, sa i merr hoxha, sa hoxhonica? Është joserioze me na ardhë materiali me një flet. Pastaj përgjegjësia po bie mbi ne. Obligoni drejtorët që kanë të bëjnë me ato pika, të na pajisin me material, ndryshe kthejani, është edhe për hoxhë edhe për xhami”, është shprehur Ali Ismaili në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.

Por, nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, ka thënë se shumat janë të njëjta me ato nga viti i kaluar, raporton KOHA. 

“Edhe me Grupin e LDK-së kemi diskutuar. Është e vërtetë që Bashkësia Islame në Fushë- Kosovë e ka bërë një kërkesë. Është diçka që po përsëritet. Shumat janë ato që kanë qenë në kontratën kornizë. Nuk është veç për Bashkësinë Islame, por edhe për bashkësitë tjera fetare”, ka theksuar Krasniqi.

Në kërkesën e Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Mjedis drejtuar Kuvendit Komunal për miratim thuhet se mbështetur në kërkesën e Këshillit të Bashkësisë Islame në Fushë-Kosovë nr. 1201 të datës 01.12.2020 dhe kërkesës së Kishës ortodokse Serbe në Fushë-Kosovë nr. 39 të datës 19.01.2020 i propozon për shqyrtim Kuvendit të Komunës mbulimin e shpenzimeve të varrimit për vitin 2021 nga buxheti i komunës, sikur është vepruar edhe në vitet e kaluara. Kjo siç thuhet tutje, bëhet me qëllim që qytetarëve me vendbanim në Komunën e Fushë- Kosovës t’iu krijohen lehtësime në momentet më të pikëlluara për familjet e tyre.

“Andaj kërkojmë që propozimi ë fjalë të shqyrtohet dhe aprovohet nga Kuvendi i Komunës së Fushë-Kosovës për vitin 2021, meqë është në shërbim për të gjithë qytetarët e komunës tonë. Kërkesa e Bashkësive fetare është që shuma për një ceremoni të varrimit përfshinë shumën e mjeteve financiare prej 195 euro”, thuhet në kërkesën e DSHPM-së.

Edhe në fletëkërkesën e BIK-ut shkruhet se Këshilli i Bashkësisë Islame Fushë-Kosovës, kërkon vazhdimin e mbulimit të shpenzimeve të varrimit me kriteret e njëjta si në marrëveshjen e mëhershme.

“Mbesim me shpresë se kërkesa jonë do të hasë në mirëkuptimin tuaj!”.

Ky propozim është miratuar me shumicë votash në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme