Rexhepi: Gratë nuk duhet të kërkojnë guxim për të mbijetuar, institucionet duhet të kenë guxim për t’i mbrojtur

Prishtinë | 25 Nën 2026 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Në hapje të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Grupi i Grave Deputete organizoi Asamblenë e Grave Parlamentare dhe Asambleiste, me temën “Të sigurojmë drejtësi, të mbrojmë të mbijetuarat dhe t’i japim fund pandëshkueshmërisë”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë aktivitet, kryesuesja e Bordit të Grupit të Grave Deputete, Arijeta Rexhepi, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të grave, fuqizimit të pozitës së tyre në shoqëri dhe përgjegjësisë institucionale në luftimin e dhunës me bazë gjinore.

Rexhepi tha se dinjiteti, siguria, liria dhe barazia e grave nuk janë privilegje, por të drejta themelore njerëzore, të cilat duhet të garantohen në çdo rrethanë.

“Sot, në hapjen e fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, jemi mbledhur jo vetëm për të diskutuar, jo vetëm për të shkëmbyer përvoja, por për të riafirmuar një të vërtetë që nuk duhet të vihet kurrë në pikëpyetje: dinjiteti, siguria, liria dhe barazia e gruas nuk janë privilegje, por të drejta themelore njerëzore”, u shpreh ajo.

Duke folur për rolin e grave ndër breza, Rexhepi tha se historia e tyre është histori e përpjekjeve për liri, drejtësi dhe dinjitet, ndonëse kontributi i grave për një kohë të gjatë nuk është vlerësuar dhe përfaqësuar sa duhet.

Ajo rikujtoi figurat e rëndësishme të historisë shqiptare, duke përmendur Teutën, Norën e Kelmendit, Marigonën, motrat Qiriazi dhe Musine Kokalarin, si dhe gratë e Kosovës që kontribuuan në ruajtjen e arsimit, rezistencës, familjes dhe shpresës në periudhat më të vështira.

“Megjithatë, asnjë epokë nuk ka qenë në gjendje ta shuajë vullnetin e gruas për të qenë e lirë, sepse historia e gruas nuk është vetëm dëshmitare e historisë, gruaja është krijuese e historisë. Në historinë tonë shqiptare, ky vullnet për liri dhe dinjitet ka emra, ka fytyra dhe ka sakrifica që nuk mund të harrohen”, theksoi Rexhepi.

Ajo veçoi veçanërisht kontributin e grave në historinë më të afërt të Kosovës, duke nënvizuar se ato nuk ishin vetëm pjesë e rezistencës, por vetë përfaqësonin rezistencën, përmes protestave, organizimit, luftës për liri dhe përpjekjeve për drejtësi.

“Në historinë më të afërt të Kosovës, gratë nuk ishin vetëm pjesë e rezistencës. Ato ishin rezistencë. Ishin në ballë të protestave, të organizimit, të luftës për liri, të përkujdesjes, të rindërtimit dhe të përpjekjes të drejtësisë. Ishin dhe janë zëri i nënave, i motrave, i vajzave, i grave që refuzuan të pranojnë padrejtësinë si fat”, tha ajo.

Kryesuesja e Bordit të Grupit të Grave Deputete theksoi se gratë nuk duhet të vlerësohen vetëm për sakrificat dhe vuajtjet e tyre, por mbi të gjitha për të drejtën që kanë për të jetuar të lira, për të vendosur për jetën e tyre dhe për të qenë pjesë e barabartë e vendimmarrjes.

“Ne nuk duhet ta ndërtojmë gruan vetëm sepse ka vuajtur, vetëm sepse ka sakrifikuar, vetëm sepse ka mbijetuar. Ne duhet ta nderojmë gruan sepse ajo ka qenë të drejtë të jetojë, ka të drejtë të vendosë, të udhëheqë, të ëndërrojë, të gabojë, të krijojë dhe të jetë e lirë, pa pasur nevojë ta dëshmojë vlerën e saj përmes sakrificës”, u shpreh Rexhepi.

Ajo nënvizoi se barazia gjinore nuk duhet të shihet si përballje mes grave dhe burrave, por si një përpjekje e përbashkët e shoqërisë kundër padrejtësisë dhe diskriminimit.

“Të nderuara të pranishme, kur flasim për barazinë gjinore, nuk flasim për një betejë të grave kundër burrave. Flasim për një betejë të shoqërisë kundrejt padrejtësisë. Nuk flasim për zëvendësimin e një dominimi me një tjetër, por për ndërtimin e një shoqërie ku askush nuk duhet të jetë më pak i lirë, më pak i sigurt apo më pak i vlerësuar për shkak të gjinisë”, deklaroi ajo.

Duke u ndalur te dhuna ndaj grave, Rexhepi tha se ajo nuk mund të trajtohet thjesht si statistikë, raport policor apo lajm i përkohshëm, pasi përfaqëson një plagë të thellë shoqërore dhe shpërfaq dështimet e sistemit në mbrojtjen e viktimave.

“Dhe kur flasim për dhunën ndaj grave, nuk mund ta reduktojmë atë në një statistikë, në një raport policor, në një lajm që zgjat disa orë. Dhuna ndaj gruas është një plagë e shoqërisë, është dështimi i një sistemi kur viktima duhet të kërkojë mbrojtje disa herë. Është dështimi i drejtësisë kur frika e viktimës është më e madhe se frika e dhunuesit nga ligji”, theksoi Rexhepi.

Ajo potencoi se përgjegjësia për mbrojtjen e grave nuk mund t’u lihet vetëm të mbijetuarave, por institucionet duhet të tregojnë vendosmëri, të garantojnë mbrojtje dhe të krijojnë një mjedis ku viktimat mund të raportojnë dhunën pa frikë nga paragjykimet dhe gjykimi shoqëror.

“Ne nuk mund të kërkojmë nga një grua të jetë e guximshme për të mbijetuar, nëse institucionet nuk janë të guximshme për ta mbrojtur atë. Nuk mund t’i kërkojmë një të mbijetuar e të flasë, nëse shoqëria e pret me gjykim, me paragjykim, me dyshim apo me pyetjen se çfarë ka bërë ajo për ta merituar dhunën”, shtoi ajo.

Të ngjashme