Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, por jo i shkëputur nga kombi shqiptar, duke theksuar se marrëdhëniet me Shqipërinë janë gjithnjë vëllazërore dhe strategjike, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka kujtuar gjenocidin e viteve 1998-1999 në Kosovë, çlirimin në qershor të vitit 1999 dhe shpalljen e pavarësisë në shkurt të vitit 2008, në pritjen e organizuar nga ambasada e Shqipërisë në Kosovë për nder të 114 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
“Gjenocidi më i fundit ndaj kombit tonë shqiptar u ndërmor në vitet 1998-1999 në Kosovë, mandej në qershor u çliruam me luftë dhe Republika e Kosovës u shpall shtet sovran në shkurt të vitit 2008. Republika jonë është shtet i pjesës së kombit shqiptar që jeton në Kosovë dhe i pakicave kombëtare etnike që përbëjnë qytetarinë e saj. Republika përpiqet që të realizojë aspiratën e 28 nëntorit për të gjithë qytetarët e saj”, ka thënë Kurti.
Ai ka deklaruar se Kosova është demokraci funksionale dhe se synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Ne sot jemi një demokraci funksionale, që garanton liritë e njeriut dhe liritë civile, dhe po bëjmë përpjekje që të zhvillohemi në të njëjtin drejtim e së bashku me demokracitë përparimtare të Bashkimit Evropian, të Amerikës së Veriut. E të demokracive të tjera në rajon dhe në mbarë botën. Ne dëshirojmë që të bëhemi pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Dhe po ndërmarrim hapat e nevojshëm institucional mu për këtë qëllim”, ka deklaruar ai.
Kreu i Qeverisë ka theksuar se marrëdhëniet me Shqipërinë janë strategjike jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për paqen dhe sigurinë në Evropën Juglindore.
“Republika e Kosovës është më vete por jo e mosvarur ndaj kombit shqiptar. Prandaj marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë i kemi konsideruar gjithnjë vëllazërore dhe strategjike për kombin tonë mbarë. Por njëkohësisht edhe për paqen e sigurinë në Evropën Juglindore. Ne i përjetojmë ngjarjet politike në Shqipëri dhe anasjelltas qytetarët e Shqipërisë i përjetojnë ngjarjet në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Ai ka bërë të ditur se bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve është konkretizuar përmes 190 marrëveshjeve, të cilat përfshijnë fusha të ndryshme të jetës publike.
“E si institucione posaçërisht si qeveri, ne bashkëpunojmë. Janë nënshkruar, zbatuar apo po zbatohen 190 marrëveshje gjithsej ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ato përfshijnë fusha të rëndësishme, për jetën e qytetarëve tanë. Arsimin, ekonominë, energjinë, infrastrukturën, bujqësinë, shëndetësinë, sigurinë, kulturën, diasporën dhe shumë fusha të tjera”, ka deklaruar kryeministri.
Në fund, Kurti ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë për Kosovën, duke përmendur angazhimin për forcimin e marrëdhënieve me partnerët perëndimorë dhe shtetet e tjera.
“Ne nuk e harrojmë po ashtu kurrë ndihmesën e aleatëve perëndimorë për Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe gjithnjë punojmë për të përforcuar marrëdhëniet dypalëshe e shumëpalëshe me Shtetet e Bashkuara, me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, me Mbretërinë e Bashkuar, me Kanadanë, Turqinë, Japoninë, Zvicrën e të tjera”, ka përfunduar Kurti.
