Malaj në prag të 28 Nëntorit: Kosova dhe Shqipëria kanë një histori e vizion të përbashkët për të ardhmen

Prishtinë | 24 Nën 2026 | 20:51 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka thënë se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në konsolidimin e shtetësisë, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe aspiratën për integrim të plotë në institucionet euroatlantike, raporton Ekonomia Online.

Këto deklarata Malaj i bëri në pritjen festive të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit.

Në fjalimin e tij, Malaj tha se këto dy data përfaqësojnë momente themelore të historisë kombëtare, duke simbolizuar lindjen e shtetit shqiptar dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë.

“Është një kënaqësi dhe nder i veçantë t’ju mirëpres sonte në këtë mbrëmje festive në prag të 28 nëntorit. Ditës së flamurit dhe të pavarësisë së Shqipërisë. Si dhe të 29 nëntorit, ditës së çlirimit. Këto dy data përfaqësojnë dy momente themelore të historisë sonë kombëtare. Lindjen e shtetit shqiptar dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Ato janë pjesë e kujtesës sonë kolektive, dëshmi e qëndresës, sakrificës dhe vullnetit të një populli për të jetuar i lirë, me dinjitet dhe me të drejtën për të përcaktuar vetë të ardhmen e tij”, deklaroi Malaj.

Duke kujtuar shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ambasadori tha se në aktin historik të 28 Nëntorit 1912 ishte e pranishme edhe Kosova, duke theksuar se ideali i lirisë dhe shtetësisë shqiptare nuk njihte kufij krahinorë.

“114 vjet më parë, në Vlorë, Ismail Qemali dhe burrat e Rilindjes Kombëtare ngritën flamurin kuq e zi duke i dhënë jetë një aspirate shekullore. Në atë akt historik, ishte e pranishme edhe Kosova, si dëshmi e gjallë se ideali i lirisë dhe i shtetësisë shqiptare nuk njihte kufij krahinorë. Sot, më shumë se 1 shekull më vonë, ky flamur na kujton jo vetëm nga vijmë, por mbi të gjitha çfarë përgjegjësie kemi përpara brezave që vijnë”, tha ai.

Malaj vlerësoi Prishtinën si vendin më kuptimplotë për kremtimin e kësaj feste jashtë Shqipërisë, duke theksuar lidhjen historike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.

“Dhe nuk besoj se ka një vend më kuptimplotë për ta kremtuar këtë ditë jashtë Shqipërisë sesa Prishtina, kryeqyteti i Kosovës së lirë dhe të pavarur. Një vend ku historia shqiptare nuk kujtohet vetëm në libra, por është e pranishme në kujtesën e familjeve, në institucionet e shtetit, në kulturë dhe në përditshmërinë e qytetarëve të saj”, u shpreh ambasadori.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, Malaj tha se ato burojnë nga historia, gjuha dhe trashëgimia e përbashkët, por se rëndësia e tyre duhet të reflektohet edhe në bashkëpunimin konkret dhe zhvillimin e përbashkët.

“Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në konsolidimin e shtetësisë, në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar dhe në aspiratën për integrim të plotë në institucionet euroatlantike. Kjo mbështetje për ne nuk është thjesht një qëndrim politik. Por një bindje strategjike e bazuar në interesin e përbashkët kombëtar, për një Kosovë të fortë, demokratike, të sigurt dhe të integruar ndërkombëtarisht”, deklaroi Malaj.

Malaj u shpreh mirënjohës për eksperiencë si ambasador pasi që është fundi i misionit të tij diplomatik në Kosovë.

“E them këtë me një ndjenjë të veçantë, sepse largimi nga një detyrë diplomatike nuk është gjithmonë thjesht përfundimi i një angazhimi institucional. Ndonjëherë është edhe momenti kur kupton se sa shumë lidhje njerëzore kujtime dhe përvoja të çmuara ke krijuar përgjatë këtij rrugëtimi. Kur erdha në Prishtinë, erdha me përgjegjësinë dhe privilegjin për të përfaqësuar Republikën e Shqipërisë. Sot pas këtij misioni, largohem me shumë më tepër sesa përvoja e një ambasadori. Largohem me miqësi të sinqerta, me respekt të ndërsjellë me kujtime që do të mbeten gjallë në mendjen dhe zemrën time, dhe mbi të gjitha, me ndjenjën se në Kosovë kam qenë gjithmonë i mirëpritur. Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë. Për krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës. Presidente, kryeministri, kryetarin e Kuvendit, për të gjithë drejtuesit e këtyre institucioneve. Për kolegët e mi në institucionet shtetërore. Për trupin diplomatik dhe organizatat ndërkombëtare. Për përfaqësuesit e jetës akademike, kulturore, ekonomike dhe shoqërisë civile, si dhe për të gjithë ata që më kanë shoqëruar dhe mbështetur gjatë këtij mision”, tha ai.

Të ngjashme