Shiroka Pula: 28 Nëntori është festë e katërfishtë për shqiptarët, s’heqim dorë nga e vërteta historike

Prishtinë | 24 Nën 2026 | 20:52 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka thënë se 28 Nëntori është festë e katërfishtë për shqiptarët, pasi shënon Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se kjo ditë kujton historinë, përpjekjet e brezave, sakrificat dhe luftën për liri, duke theksuar se shqiptarët nuk hoqën dorë nga gjuha, identiteti dhe e drejta për të jetuar të lirë e të pavarur.

“Shtetit shqiptar, por edhe i gjithë kombit tonë, kudo që jetojnë shqiptarët. Ai na kujton historinë tonë, përpjekjet e brezave sakrificat dhe luftën për liri. Na kujton se edhe në kohët më të vështira, shqiptarët nuk hoqën dorë nga gjuha, identiteti dhe e drejta për të jetuar të lirë e të pavarur. Sot, kudo në hapësirën shqiptare, valëvitet flamuri kuq e zi. Flamuri, me të cilin më 28 nëntor 1912, në Vlorë u shpall Shqipëria e lirë dhe e pavarur. Ismail Qemali së bashku me patriotët nga të gjitha trevat shqiptare, shpalli një ditë të drejtë, një popull për të mirën e jetën dhe lirinë e pavarësisë. Nga Hasan Prishtina, Isa Boletini, e deri te qindra patriotë të tjerë nga Kosova, shqiptarët u bashkuan rreth një ideali: rreth Shqipërisë së lirë. Sot jemi 2 shtete të pavarura, por një popull vëllazëror, të lidhur përgjithmonë nga gjaku, gjuha, historia dhe dashuria për njëri-tjetrin”, ka thënë Shiroka Pula.

Ajo ka theksuar se flamuri kuq e zi, i ngritur në demonstratat e vitit 1968 dhe 1981, u bë simbol i qëndresës dhe luftës çlirimtare të Kosovës.

“Të nderuar të pranishëm, flamuri kuq e zi i ngritur në demonstratat e 68-ës dhe 81-tës u bë flamuri i qëndresës sonë. U bë simbol i luftës çlirimtare. Flamuri nën të cilin u bashkuan ideali dhe sakrifica për lirinë e Kosovës. Prandaj, 28 nëntori është festë e katërfishtë për ne, dita e flamurit dhe e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari dhe dita e daljes së parë publike të ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Adem Jashari e ktheu dashurinë për atdheun në vendosmëri për çlirim. Bashkë me familjen e tij, u bë simbol i qëndresës dhe sakrificës, sublime për lirinë e Kosovës. Ai i përket historisë dhe kujtesës së gjithë kombit shqiptar”, ka deklaruar ajo.

Duke folur për luftën e UÇK-së dhe proceset gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të saj, presidentja ka thënë se lufta ishte e drejtë dhe se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zbehë të drejtën e popullit të Kosovës për liri.

“Kurse lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, luftë për liri dhe për të drejtën e një populli për të jetuar i lirë në vendin e vet. Sot, kur krerët e saj po përballen me drejtësinë në Hagë, ne nuk heqim dorë nga e vërteta historike. Asnjë proces gjyqësor nuk mund të zbehë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën u ndërtua ajo”, ka thënë Shiroka Pula.

Figura e tanishme s’ka tekst alternativ. Emri i kartelës është: 929848108_2347902575999110_6281976330079352750_n.jpg

Të ngjashme