Raportimi i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike është shoqëruar me përplasje mes deputetëve të opozitës dhe pozitës, lidhur me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare të ministrisë për vitin 2025, raporton Ekonomia Online.
Debati nisi pasi fjalën e mori deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, i cili akuzoi ministren Rizvanolli se e kishte lënë “Kosovën në terr” dhe kritikoi deputetin e VV-së, Jeton Raka, për qëndrimin e tij gjatë diskutimit.
Rrahmani e akuzoi Rakën se po përpiqej ta mbronte ministren, duke kërkuar llogari nga përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të cilët ishin të pranishëm në mbledhje.
Rrahmani më pas e akuzoi Rizvanollin për keqraportim të vlerës së pasurive dhe e kritikoi për mënyrën se si i trajtoi gjetjet e auditorit, duke thënë se mbivlerësimi prej gati shtatë milionë eurosh është një çështje serioze që ka ndikuar në dhënien e opinionit të kualifikuar.
“Paramendojeni, ministria thotë për të gjeturin A1, ku vlerën e pasurive ju ka thënë që në Ministrinë e Ekonomisë pasuritë janë më të mëdha, i ka paraqitur diku për 7 milionë euro më të mëdhaja sesa që janë. Në fakt, edhe vjen, thotë këtu që është diçka e thjeshtë, nuk është përmbajtësore, auditori i ka pasë disa të gjetura të cilat, domethënë, për opinionin publik, kjo ministre, në raportin kur ka shku me auditu Zyra Kombëtare e Auditimit, e ka gjetë që në raportet financiare ka mashtru për mbivlerësim të 7 milionë euro të pasurive. Po ashtu, nuk i ka paraqitur 181 000 euro pronësi objekte, projekte, pra ka pasë nënvlerësim në pjesë tjetër të kësaj. Kjo është e gjetur e auditorit të cilën nuk po e them unë, po e ka gjetur bazë të auditimit edhe kontrollit që ju ka bo juve si Ministri, Zyra Kombëtare e Auditimit, edhe për këtë arsye e keni opinion të kualifikuar. Kjo ndodh, domethënë, prej një ministres me ardhë edhe me interpretu edhe se sa nuk është shumë i rëndësishëm opinioni i kualifikuar, sepse i ka disa dhe është e bazuar me vesh një opinion të kualifikuar, është i dashur me qenë shumë shqetësim për juve, po natyrisht që unë e kam parasysh që nuk paraqet asnjë lloj shqetësimi për juve kjo çështje. Vednimin e ministrisë për masat disiplinore”, tha ai.
Në përgjigje, Rizvanolli tha se nuk pajtohet me atë që e cilësoi si qasje dramatike të deputetit, duke theksuar se projektet e efiçiencës së energjisë janë realizuar dhe se gjetjet kanë të bëjnë me procedurat administrative për bartjen dhe regjistrimin e pasurive.
“Sa i përket çështjes së mbivlerësimit të pasurive, unë nuk e kuptoj, nuk pajtohem me qasjen tuaj dramatike. Sigurisht që vlera është e madhe, mirëpo unë nuk jam e shqetësuar për faktin që investimi është kryer. Investimi është kryer si duhet dhe jemi duke folur për procedura administrative të cilat marrin kohë e të cilat në fakt ndoshta duhet edhe të rishikohen mënyra se si menaxhohen dhe si regjistrohen si procese, duke qenë se kjo është një çështje të cilën jo vetëm ne si ministri, mirëpo të gjitha institucionet e kanë. Unë do të isha shumë e shqetësuar sikur investimi të mos realizohej ose të mos realizohej si duhet. Qysh ka ditë edhe me ndodhë në të kaluarën, deputet, mirëpo tash kjo nuk ndodh më. Investimet janë realizuar, janë realizuar si duhet. Ndërsa për procedurat administrative të bartjes së pasurisë, ne jemi duke bërë më të mirën e në të ardhmen do të mundohemi që edhe më shpejt ta bëjmë”, tha ministrja.
Megjithatë, Rrahmani këmbënguli se ministrja po i minimizon gjetjet e auditorit, duke iu referuar shifrës së saktë të mbivlerësimit të pasurive prej 6 milionë e 996 mijë e 517 eurosh dhe nënvlerësimit prej 181 mijë e 345 eurosh.
“Të dyja jeni e pasaktë në bazë të raportit. Po flas jo se jam duke folur veç në bazë të gjeturve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të mbivlerësuara, në fakt, të cilat pasuritë vlera e pasurive është mbivlerësuar për 6 milion e 996 mijë e 517 euro. Në raportet financiare ju e keni qenë që keni pasuri 7 milion euro auditori ka thënë që s’keni. E keni edhe për këtë arsye që kjo është në fakt baza kryesore pse opinioni është i kualifikuar. E dyta, ju po thoni që në të kaluarën ka pasur si s’ju paraqit. Menjëherë në vazhdim të saj ne kemi 181 mijë e 345 euro përfshihet mosbartja e pronësisë së projekteve, raportim i pasaktë dhe pasuri të paregjistruara në ministrinë e ju. Domethënë i keni të dyjat, edhe ato për çka po ju akuzon më herët, edhe, edhe këto tash. Unë i di që ti as nuk e pranon se s’e ke pranuar në një farë mënyre as të gjeturat, edhe pse i ke zyrtarisht i ke pranuar, i ke nënshkruar. Këto janë të gjetura të cilat janë pranuar prej ministrisë juve, edhe e di që mundohesh me neutralizu këtë çështje, po janë të gjetura të auditorit që s’mundemi as unë e as ti, as me i tjetërsu, e as ty nuk të duken dramatike, absolutisht, sepse në këtë angazhimin energjetik të cilin e keni, këto janë shifra tejet të vogla çka ju jeni, jeni në gjendje”, tha deputeti.
Ministrja e kundërshtoi sërish interpretimin e Rrahmanit, duke thënë se pasuritë e përmendura janë investime të realizuara në komuna, të cilat duhej të barteshin në regjistrat e institucioneve përfituese. Ajo mohoi që gjetjet të nënkuptojnë fshehje apo mashtrim.
“Është tepër jo korrekte prej anës suaj me i interpretu në mënyrë të tillë dhe me i vazhdu me i interpretu në mënyrë të tillë. Pasuria në të gjithë këtu, besoj rreth kësaj tavoline, besoj edhe publiku po e kupton për çfarë është fjala. Nënvlerësimi është gjetur për arsye se figurojnë tek ne investime në efiçiencë të energjisë, të cilat janë bërë në komunë të Drenasit, Mitrovicës e ku e di unë. Sigurisht që këto nuk janë pasuri të Ministrisë së Ekonomisë dhe që duhet të barten dhe janë në proces, në fakt shumica e tyre tanimë janë bartur, mirëpo ta interpretosh këtë si një të gjetur dramatike, fshehje mashtrime të tjera, thjesht nuk është e saktë. As 118 mijëshi apo sa ishte ajo vlera tjetër që e përmendët, prapë nuk ka të bëjë me ndonjë investim i cili nuk është realizuar ose në një, në ndonjë problem ose shkelje në zbatim. Jemi duke folur për çështje procedurale. Unë e di që ti je tu fol se ka kamera këtu”, tha ministrja.
