Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott ka reaguar për sulmin ndaj djalit të politikanit serb, Nenad Rashiq.
Abbott ka thënë se disa politikanë në Kosovë janë duke promovuar një kulturë të urrejtjes e frikës brena komuniteteve të caktuara.
Për këtë çështje, Abbott thotë se Ambasada Britanike dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, ka një kohë që kanë kërkuar një debat politik më të qetë, më të arsyeshëm dhe më pak personal.
“Sulmi i djeshëm ndaj djalit të Nenad Rashiqit, është perceptuar si një akt politik. Ambasada Britanike dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, për ca kohë, kanë kërkuar një debat politik më të qetë, më të arsyeshëm dhe më pak personal.
Disa politikanë kanë promovuar një kulturë të urrejtjes dhe frikës, mosbesimit dhe tradhtisë, brenda dhe nëpër komunitete të ndryshme.
Ne bëjmë përsëri thirrje që kjo të ndalet. E gjithë klasa politike dhe mediat duhet të reflektojnë pasi duke lejuar që një kulturë e tillë të vazhdojë, njerëzit mund të vihen në rrezik”, ka shkruar Abbott.
Dje rreth orës 12:00 në afërsi të shkollës në fshatin Llapnasellë të Graçanicës disa persona e kanë sulmuar fizikisht djalin e ish-ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.
Policia e Kosovës ka arrestuar tetë persona për këtë rast, ku të dyshuarit me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë.