Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë transparence në dialog me Serbinë, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku, në seancën e Kuvendit të enjten, tha se kryeministri Kurti nuk po raporton në Kuvend se çka përmban plani franko-gjerman, e si pasojë e kësaj askush nuk e di se çka ka pranuar Kosova.
“Këtë të hënën nëpërmjet një postimi në Twitter, kuptuam se kryeministri e ka pranuar propozimin në fjalë. Si Kuvend si shoqëri dhe si Kosovë, askush nuk e di se çka ka pranuar kryeministri i Kosovës”.
“As unë e asnjë deputet nuk është në dijeni për draftin e fundit të këtij plani. Askush në këtë Kuvend nuk e di se çka ka pranuar Kosova. Kryeministri nuk raporton më Kuvend”, tha ai.
Ai i ka parashtruar Kurtit katër pyetje rreth kësaj marrëveshjeje.
“Në marrëveshjen e pranuar a bëhet fjalë për një marrëveshje finale apo për një marrëveshje bazë? Marrëveshja e pranuar nga ju a e ka njohjen e ndërsjellë në qendër të saj, pra aktin ku Serbia e njeh Kosovën dhe anasjelltas? Marrëveshja e pranuar në parim a i ka elementet e platformës tuaj që na prezantuat në gusht 2022? Kjo marrëveshje a parasheh rikonsiderimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake apo implementimin e të gjitha marrëveshjeve pa dallim”, ka pyetur ai.
“Para se ti prezantohej spektrit politik në Kosovë dhe Qeverisë, i ishte prezantuar Vuqiqit gjatë dialogut. Ky dokument i kishte 6 kapituj që marrëveshja finale duhej t’i kishte”.
“Dy muaj pas takimit të parë, kryeministri më kishte dorëzuar një dokument dy faqesh i njohur më vonë si plani franko-gjerman. Propozimi i tillë nuk përmbante një marrëveshje finale e ligjërisht të obligueshme”, tha Abdixhiku.