Abdixhiku: Asgjë më pak as më shumë sesa marrëveshje përfundimtare që ka njohjen

Prishtinë | 25 Shk 2023 | 18:15 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të ciklit debatues e diskutues “LDK ju dëgjon”, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka qëndruar në Viti ku ka diskutuar me qytetarë dhe struktura të kësaj komune.

Gjatë këtij takimi, sipas një komunikate shtypi, Abdixhiku rikonfirmoi edhe njëherë qëndrimin e LDK-së rreth procesit të dialogut.

“Qëndrimi i LDK-së për procesin e dialogut është që duhet të ketë marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e ndërkombëtarisht e obligueshme dhe duhet të përmbajë aktin kur Serbia e njeh Kosovën, dhe kur Kosova ndërsjelltas e njeh Serbinë. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale”, ka thënë Abdixhiku.

Ai po ashtu ka folur edhe për pozicionin e Kosovës si dhe raportet me ShBA-të, ku sipas LDK-së pozicioni ndërkombëtar i Kosovës është rënduar.

“Me veprimet e pamatura, pa qenë i koordinuar në mënyrë të vazhdueshme me aleatë, Kryeministri e ka larguar Kosovën nga ky synim. Më 7 shkurt të vitit 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, nëpërmjet një letre urimi, i kishte kërkuar Presidentit të Serbisë Vuçiq, arrtijen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Saktësisht dy vite me Qeverinë Kurti, dhe pozicioni ndërkombëtar i Kosovës duket qartazi i rënduar. Nuk flitet për njohje të ndërsjellë dhe nuk flitet për një marrëveshje përfundimtare. Tani flitet për marrëveshje bazë që nuk e ka njohjen reciproke”, ka thënë Abdixhiku.

“Përveç Kryeministrit, askush nuk e di se çka po diskutohet. Nuk dihet çka përmban hyrja e marrëveshjes dhe as shtojca e kësaj marrëveshje. Tema të tilla duhet të trajtohen me përgjegjësi dhe nga Kryeministri do të kërkohet përgjegjësi”, ka përfunduar Abdixhiku.

Sipas komunikatës, Lidhja Demokratike e Kosovës “çdo ditë po shton rradhët e veta, sepse po dëgjon, po flet me qytetarë dhe po qëndron përballë popullizmit”. Aty theksohet se forcimi i LDK-së është ndryshimi që i duhet Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme