“Një krizë e re, një paaftësi e re”, LDK kërkon të ulen akciza dhe TVSh-ja në naftë për tre muajtë e ardhshëm

Prishtinë | 07 Mar 2022 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se me rritjen e çmimit të naftës në 1.60 euro për litër, qytetarët e Kosovës i paguajnë plot 60 cent tatim e akcizë Qeverisë.

Abdixhiku i ka propozuar Qeverisë që me urgjencë t’i marrë disa vendime.

1. Të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH-ja në naftë për tre muajtë e ardhshëm. Ky reduktim i përkohshëm duhet të ketë për qëllim përballueshmërinë jo vetëm të qytetarëve tanë, por sidomos të bujqve e transportuesve në vend, ndikimi i të cilëve në produkte e shërbime të tjera do të jetë edhe më i lartë.

2. Në vijë me praktikat e shumta ndërkombëtare, të vendoset racionimi i sasisë së naftës që një individ mund të blejë. Duhet të pranojmë që jemi në krizë, furnizimet e kufizuara duhet të ndodhin sa më parë.

3. Qeveria të asistojë furnitorët tanë në sigurimin e rezervave afatgjate. Në kohë si këto, relacionet ndërshtetërore janë esenciale.

4. Të ofrohet një plan afatgjatë i përballueshmërisë. Qeveria të reagojë sa më parë. Ndonëse do të jetë sërish e fundit në reagim, praktika e vëzhgimit e arsyetimit se kjo është krizë globale është braktisje e re e qytetarëve edhe në një krizë.

Në një postim në Facebook, me titull “Një krizë e re, një paaftësi e re”, Abdixhiku thekson se sot, çmimi i naftës ka arritur në 1.60 euro për litër.

“Nga ky çmim, qytetarët e Kosovës i paguajnë plot 60 cent tatim e akcizë Qeverisë. Pra nuk i paguajnë vetëm çmimet e ngritura ndërkombëtare të naftës; i paguajnë edhe apetitet e Qeverisë për t’iu marrë më shumë para e taksa edhe në kohë krize. 60 cent nga 1.60 euro për çdo litër është shumë. Nga çdo mbushje 25 euroshe, qyterarët i paguajnë 15 euro naftë e gati 10 euro tatim. Dhe me çdo rritje të çmimit ndërkombëtar, ky tatim po bëhet dhe me i lartë e çmimi edhe më i papërballueshëm”.

Abdixhiku ka shkruar se ka disa javë që LDK ka ngritur në Kuvend vëmendjen për rritjen e vazhdueshme të çmimit të naftës – dhe produkteve tjera si rrjedhojë.

“Ka disa javë që kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ofrojë një pako politikash fiskale që zbusin këtë ngritje. Por, si me çdo temë tjetër tashmë, veprimet e Qeverisë janë ose të vonshme ose inekzistente”.

Tutje ai ka thënë se masa e vetme e ndërmarrë nga Qeveria deri më tani, ka qenë kufizimi intervencionist i marzhës së fitimit; “sa për të treguar se nuk kuptojnë asgjë në këtë punë. Me këtë intervenim, ata kanë arritur të zvogëlojnë çmimin e naftës për vetëm 3 cent në litër. Kaq është kontributi i Qeverisë. Vetëm nesër, me një rritje të re që do të ndodhë, ky 3 centësh zhbëhet në kontribut tatimi”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme