Me rastin e 23-vjetorit të vrasjes së heroit Enver Maloku, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku i shoqëruar nga bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe te përmendorja e tij, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast ai ka kujtuar ditë kur është vrarë siç tha ai njëri ndër patriotët më të mëdhenj që ka pasur Kosova.
Sipas tij, 11 janari i vitit 1999 ka qenë ditë e vështirë për çdo familje, ngase vrasja e Malokut thotë ai ishte vrasje e ëndrrës për liri.
Kreu i LDK-së ka shtuar se deri sa të zbardhet e vërteta për vrasjen e tij tinëzare nuk do të jenë të qetë asnjëherë.
“Sot bashkë me familjen nderojmë veprën e njërit ndër patriotët më të mëdhenj të Kosovës, i cili u vra pabesisht kur po kthehej në shtëpinë e tij”, tha ai, raporton EO.
“Enver Maloku hapi një ditarë informimi siç ishte Qendra Informative e Kosovës. Ne kujtojmë atë dhe nuk do të mbesim të qetë deri sa të zbardhet e vërteta për vrasjen tinëzare të tij”.
“Ka qenë tronditje për çdo familje në atë kohë të vështirë, vrasja e tij një figure të lëvizjes paqësore ka qenë vrasje e ëndrrës për liri. Por falë tij ne e gëzojmë këtë liri”.
Më 4 prill të vitit 2016, ish-presidentja Atifete Jahjaga, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhrin “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova për kontributin e tij në shtet-ndërtimin e Kosovës, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhrin “Medalja e Artë e Pavarësisë”.
Me iniciativë të ish-presidentit Ibrahim Rugova më 12 korrik të vitit 2005 në Prishtinë, në vendin ku është vrarë, Enver Malokut i është ngritur një Monument.
Edhe ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka dekoruar Enver Malokun me Medaljen “Urdhri i Artë i Shqiponjës”, raporton EO.
Maloku u vra më 11 janarit të viti pak metra prej banesës së tij në lagjen “Breg të Diellit”, në sytë e gruas dhe të fëmijëve.