Abdixhiku: Ferizaj nuk meriton boshllëk e dështim, por vizion dhe dinjitet

Prishtinë | 01 Tet 2025 | 19:14 | Nga Diellza Gashi

Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një tubim elektoral në Ferizaj, ku kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, theksoi se ky qytet është zemra e ekonomisë dhe ndërmarrësisë së Kosovës, por që sipas tij është lënë pas dore nga pushteti lokal e qendror.

Ai prezantoi kandidatin e LDK-së për kryetar të Ferizajt, Visar Azemin, duke e cilësuar atë si profesionist të suksesshëm, menaxher të aftë dhe qytetar që njeh hallet e Ferizajt.

“Ferizaj nuk është thjesht një qytet i zakonshëm në hartën e Kosovës. Ferizaj është zemra e ekonomisë sonë, është zemra e industrisë, është qendra e ndërmarrësisë, është djepi i rinisë dhe energjisë që e çon Kosovën përpara. Kur flasim për Ferizajn, flasim për qytetin që gjithmonë ka pasur guximin të ëndërrojë më shumë, të punojë më shumë, të ndërtojë më shumë. Ky është qyteti i punëtorëve që nuk ndalen kurrë, i bizneseve që hapin dyer çdo ditë, i rinisë që ka plot ide e plot energji, i familjeve që sakrifikojnë gjithçka për fëmijët e tyre. Ky është qyteti që nuk pranon të mbetet mbrapa. Dhe prandaj, të jem këtu sonte, është përgjegjësi e madhe, është nder i madh, është emocion i veçantë.

Por sot, kur e shohim gjendjen e Ferizajt, e kuptojmë se ky qytet nuk është aty ku duhet të jetë. Shumë është premtuar, pak është bërë. Shumë është folur, pak është ndërtuar. Shumë është propaganduar, pak është realizuar. Dhe kjo është padrejtësi e madhe për qytetin që është gjeneratori i zhvillimit të Kosovës. Sepse Ferizaj meriton më shumë. Sepse Ferizaj meriton qeverisje të ndershme, meriton projekte të mëdha, meriton vizion të qartë, meriton kujdes të veçantë. Për katër vite me radhë, pushteti lokal dhe qendror kanë dështuar. Në vend që të përkrahnin biznesin, ata e kanë ngulfatur atë. Në vend që të investonin për të rinjtë, ata i kanë lënë të ikin, duke e zbrazur qytetin nga energjia e tij më e madhe. Në vend që të ndërtonin shkolla moderne, ata kanë lënë klasa të vjetëruara. Në vend që të ndërtonin hapësira për fëmijë, ata kanë lënë beton, boshllëk e mungesë. Dhe kjo nuk është vetëm një çështje politike – kjo është çështje e përditshme e jetës së secilit qytetar të Ferizajt”, tha kreytari i LDK-së.

Abdixhiku shtoi se LDK sjell shpresën dhe ndryshimin për qytetin, përmes zhvillimit ekonomik, investimeve në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë.

“Ferizaj nuk meriton boshllëk. Nuk meriton dështim. Nuk meriton premtime boshe. Ferizaj meriton punë. Ferizaj meriton vizion. Ferizaj meriton zhvillim. Ferizaj meriton ndryshim. Dhe këtë ndryshim e sjell vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës; e sjell kandidati ynë për kryetar të Ferizajit, Visar Azemi. Visari është shembulli më i mirë i asaj që Ferizaj ka dhënë gjithmonë: njerëz të arsimuar, profesionistë, menaxherë të suksesshëm, të respektuar në Kosovë dhe jashtë saj. Ai është një profesionist që ka punuar me organizata të mëdha, me kompani të huaja, me institucione që kanë sjellë zhvillim. Ai është një profesionist që di të menaxhojë, di të planifikojë, di të ndërtojë. Ai është një qytetar i Ferizajt që i njeh hallet e qytetit, që i ndjen sfidat e qytetarëve, që është i gatshëm të marrë përgjegjësi dhe të sjellë ndryshimin që Ferizaj e meriton. Visar Azemi nuk është vetëm kandidat i Lidhjes Demokratike. Ai është kandidati i shpresës, kandidati i punës, kandidati i së ardhmes. Sepse ai e kupton se Ferizaj nuk mund të jetë qyteti i stagnimit, por duhet të jetë qyteti i inovacionit. Nuk mund të jetë qyteti i dështimit, por duhet të jetë qyteti i suksesit. Nuk mund të jetë qyteti i ikjes, por duhet të jetë qyteti i kthimit. Nuk mund të jetë qyteti i propagandës, por duhet të jetë qyteti i rezultateve.

Dhe bashkë me ekipin tonë për Kuvendin Komunal, me mësues, mjekë, inxhinierë, fermerë, të rinj e të reja, qytetarë të ndershëm që hyjnë në politikë për të shërbyer e jo për të përfituar, ne do ta bëjmë këtë ndryshim. Sepse LDK nuk është vetëm parti – është lëvizje. Nuk është vetëm listë kandidatësh – është ekip qytetarësh. LDK nuk është vetëm organizatë politike – është shpresë kombëtare. Ferizaj ka nevojë për projekte konkrete. Ka nevojë për një plan të madh për zhvillim ekonomik, për të mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme, për të hapur vende pune, për të krijuar perspektivë për rininë. Ka nevojë për investime në arsim, për shkolla moderne, për klasa me teknologji, për mësim cilësor e tërëditor. Ferizaji ka nevojë për qendra shëndetësore funksionale, për spital të pajisur, për mjekë të përkrahur. Ka nevojë për hapësira publike, për parqe, për fusha sporti, për qendra rinore. Ka nevojë për rrugë të reja, për infrastrukturë moderne, për transport të rregullt. Por mbi të gjitha, Ferizaj ka nevojë për dinjitet. Dinjitet në qeverisje. Dinjitet në përfaqësim. Dinjitet në trajtim. Dhe këtë dinjitet mund ta japë vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës. Dhe sot, këtu, nga ky qytet, ne vijmë me një kushtrim të madh. Me kushtrimin e rilindjes së shpresës në këtë qytet të lënë pas”, shtoi Abdixhiku.

Të ngjashme