Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në Vushtrri sot e ka filluar ciklin e vizitave në qytetet e Kosovës për garën e balotazhit ku iu ka premtuar vushtrriasve se festën e fitores së LDK-së do ta bëjnë në Vushtrri me 14 nëntor.
“Ju falënderoj të gjithëve për punën e jashtëzakonshme për rikthimin e madh të LDK-së. E kam filluar prej Vushtrrisë ciklin e dytë të vizitave në qytetet e Kosovës sepse këtu është bazamenti i vetëm në këtë anë dhe kur LDK bëhet bashkë nuk ka gjë që e mundë gjithandej, prandaj edhe festën e fitores do ta bëjmë në Vushtrri më 14 nëntor”, ka thënë Abdixhiku.
Edhe Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, kandidati i LDK-së Xhafer Tahiri është shprehur i lumtur dhe krenar për kontributin e tij në rritjen e LDK-së.
“Sot LDK është partia numër një në vend me numrin më të madh të votave dhe partia më e votuar nga diaspora e Kosovës. LDK në Vushtrri ka arritur rritjen më të madhe prej vitit 2004 nga 5 asamblistë në 11. Kjo ka ndodhë sepse ne e kemi një program që e prek secilin qytetar përmes projekteve të mëdha kapitale që sjellin investime në qytetin tonë”, ka thënë Tahiri.