Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dërguar telegram ngushëllimi familjes të ish-deputetit të PD-së, Gerti Bogdani, i cili ndërroi jetë gjatë ditës së sotme.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se humbja e tij e papritur, është humbje e madhe për shqiptarët, raporton Ekonomia Online.
“E nderuara familja Bogdani, me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen e hershme nga jeta të mikut tim dhe të Lidhjes Demokratike, Gerti Bogdani, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi promovimit të vlerave demokratike në Shqipëri e Kosovë. Gerti ishte politikan model duke shërbyer si inspirim për çdo të ri në politikën shqiptare. Ai rrjedhte nga një familje tiranase me traditë dhe u bë përfaqësuesi më i mirë i rinisë shqiptare. Gerti ndihmoi e dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe për anëtarësimin e LDK-së në EPP, gjatë kohës sa ishte përfaqësues i PD.”
“Në emër timin personal dhe anëtarësisë së Lidhjes Demokratike, i shprehim ngushëllime gruas Edlirës, prindërve të tij, fëmijëve, gjithë familjes Bogdani, miqve dhe të gjithë atyre që njohën.”